Shkup, 27 maj Zhurnal.mk – Në një periudhë kur arsimi i lartë në vend po përballet me sfida të shumta, nga migrimi i të rinjve deri te konkurrenca rajonale mes universiteteve, Universiteti i Tetovës vazhdon të mbetet një nga institucionet më të rëndësishme akademike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Pikërisht në këtë kontekst, rikthehen në vëmendje deklaratat dhe angazhimi i Kushtrim Ahmeti, i cili edhe sot konsiderohet një nga emrat më të përfolur në garën për udhëheqjen e universitetit.
Që në vitin 2023, në kohën kur ushtronte detyrën e rektorit të Universitetit të Tetovës, Ahmeti kishte theksuar se UT-ja kishte përjetuar një hov të fuqishëm zhvillimi gjatë dekadës së fundit. Ai kishte veçuar përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve akademike dhe ndërkombëtarizimin e universitetit si shtyllat kryesore të transformimit të institucionit.
Sipas tij, Universiteti i Tetovës kishte arritur të krijojë kushte moderne për studentët, duke investuar në objekte që plotësojnë standarde bashkëkohore për zhvillimin e ligjëratave, ushtrimeve dhe aktiviteteve shkencore. Në të njëjtën kohë, ai kishte theksuar edhe konsolidimin e stafit akademik, duke potencuar se fakultetet tashmë posedojnë kuadro profesionale që ndjekin trendet moderne të arsimit të lartë.
Periudha kur Kushtrim Ahmeti ishte në krye të universitetit konsiderohet nga shumëkush si një fazë stabilizimi dhe avancimi institucional. Gjatë mandatit të tij si ushtrues detyre rektor, Universiteti i Tetovës intensifikoi bashkëpunimet akademike, zgjeroi pjesëmarrjen në rrjete ndërkombëtare dhe rriti fokusin ndaj veprimtarisë shkencore. Pikërisht kjo periudhë shihet si një moment që ndikoi pozitivisht në profilizimin e universitetit dhe në forcimin e imazhit të tij në opinionin akademik.
Një tjetër element që Ahmeti e konsideronte sukses të rëndësishëm ishte rritja e numrit të studentëve aktivë, që sipas tij kishte kaluar shifrën prej 12 mijë studentësh, si dhe stimulimi i veprimtarisë shkencore dhe pjesëmarrja e universitetit në forume dhe rrjete ndërkombëtare akademike.
Ndërkohë, pas shpalljes së tre kandidaturave për postin e rektorit të Universitetit të Tetovës, në qarqet universitare dhe në opinionin publik akademik po krijohet përshtypja se Kushtrim Ahmeti mbetet një nga kandidatët më të favorizuar. Përvoja e tij në menaxhimin e institucionit, vazhdimësia në proceset zhvillimore dhe qasja e tij ndaj modernizimit të universitetit po konsiderohen si avantazhe të rëndësishme në këtë garë akademike.
Sot, kur emri i tij përmendet sërish si kandidat potencial për rektor të Universitetit të Tetovës, deklaratat dhe projektet e prezantuara gjatë periudhës së tij në krye të universitetit po rikthehen në fokus si pjesë e vizionit që ai synon të vazhdojë. Mbështetësit e tij vlerësojnë se gjatë periudhës së udhëheqjes së përkohshme ai kontribuoi në stabilizimin institucional dhe në forcimin e profilit akademik të universitetit, ndërsa rikandidimi i tij shihet si një përpjekje për të vazhduar projektet zhvillimore dhe procesin e modernizimit të UT-së.
Universiteti i Tetovës, i themeluar si simbol i rezistencës dhe arsimit në gjuhën shqipe, sot ndodhet në një etapë të re, ku përveç ruajtjes së identitetit akademik, sfida kryesore mbetet rritja e cilësisë dhe konkurrueshmërisë ndërkombëtare. Në këtë garë për drejtimin e universitetit, figura e Kushtrim Ahmetit po paraqitet si një nga kandidatët që mbështetet në përvojën institucionale dhe në vazhdimësinë e proceseve të nisura viteve të fundit.
