Sofje, 27 maj Zhurnal.mk – “Do të më vinte mirë ta shihja Evropën më në fund të pajtohet për të nisur negociatat me Rusinë. Dhe jo vetëm t’i nisë, por Evropa duhej të ishte lider në këto negociata, duke mos lejuar një lojtar të tretë”.
Kështu deklaroi presidenti bullgar Rumen Radev për mediat bullgare në Paris, ku pritet të takohet me presidentin Emmanuel Macron.
“Duhet të ketë ndryshim në të gjithë politikën e Evropës lidhur me konfliktin në Ukrainë”, tha Radev. Sipas tij, ka ardhur koha që Evropa ta marrë aktivitetin kritikisht të rëndësishëm, atë të negociatave për paqe. Diplomacia duhet ta luajë rolin e saj, insistoi ai. Sipas tij, ka mjaft politikanë evropianë që mund të negociojnë me Rusinë.
“Do t’i shqyrtojmë sfidat e mëdha me të cilat përballet buxheti bullgar. Bullgaria dhe qeveria jonë janë të interesuara fillimisht të garantojnë sigurinë e qytetarëve bullgarë. Vetëm më pas mund të mendojmë për ndarjen e mjeteve shtesë për këtë çështje”, tha Radev.
Lidhur me çështjen e përfshirjes së bullgarëve maqedonas në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, Radev tha se këtë temë e kishte ngritur që në vitin 2021.
“M’u desh një vit për t’i bindur liderët evropianë pse kjo duhej të bëhej. Është nder për presidentin Macron që ai ishte i pari që e vlerësoi realizueshmërinë e kësaj ideje dhe me përpjekjet tona të përbashkëta ajo u përfshi në kornizën negociuese në korrik të vitit 2022. Besoj se në takimin e sotëm do ta sigurojmë mbështetjen e Francës për zbatimin e plotë të këtij konsensusi”, theksoi Radev.
