Chelsea i vendos çmim marramendës Enzo Fernandez

Nga D. V.
401 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Real Madridi ka nisur lëvizjet konkrete për transferimin e mesfushorit argjentinas Enzo Fernandez gjatë afatit kalimtar veror.

Drejtuesit e Chelseat kanë vendosur një çmim marramendës prej 120 milionë eurosh për të lejuar largimin e mesfushorit, i cili duket i vendosur të mbyllë aventurën e tij në “Stamford Bridge” këtë verë.

Sipas raportimeve të talkSPORT, reprezentuesi argjentinas dëshiron të ndryshojë ambient pas dështimit të Chelseat për t’u kualifikuar në garat evropiane.

Përfaqësuesi i tij, Javier Pastore, tashmë ka zhvilluar kontaktet e para me drejtuesit e Real Madridit për të shqyrtuar mundësinë e transferimit në “Santiago Bernabeu”.

Chelsea preferon ta mbajë lojtarin në skuadër, por nuk ka ndërmend të pranojë humbje financiare për një futbollist që i kushtoi klubit mbi 106 milionë euro.

Klubi londinez synon ta zgjidhë situatën sa më shpejt për t’i dhënë stabilitet projektit të ri teknik nën drejtimin e Xabi Alonsos, i cili mori drejtimin e skuadrës pas një sezoni të trazuar dhe shkarkimit të Enzo Marescas në mes të edicionit.

Humbja ndaj Sunderlandit fundjavën e kaluar u interpretua nga shumë tifozë si një lamtumirë emocionale e Fernandezit me publikun londinez. Edhe pse fitoi Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube me Chelsean, periudha e tij në Angli ka qenë e mbushur me ulje-ngritje.

E ardhmja e mesfushorit argjentinas mbetet mes Real Madridit dhe Manchester Cityt, ndërsa Chelsea po përgatitet edhe për mundësinë e gjetjes së një zëvendësuesi. Megjithatë, drejtuesit e klubit anglez kanë bërë të qartë se nuk do të ulin asnjë cent nga shuma e kërkuar për kampionin e botës me Argjentinën.

Në Madrid, drejtuesit sportivë po analizojnë me kujdes aspektin financiar përpara se të bëjnë një ofertë zyrtare. Florentino Perez ende po diskuton brenda klubit nëse skuadra ka nevojë për një mesfushor defensiv klasik apo për një profil më të gjithanshëm si Fernandez, i cili vlerësohet shumë për fleksibilitetin taktik.

Nga ana tjetër, kërkesat financiare të lojtarit dhe qëndrimi i fortë i Chelseat pritet të testojnë seriozisht mundësitë ekonomike të klubeve të interesuara.

Londinezët janë të vetëdijshëm se mungesa në Ligën e Kampionëve ua dobëson pozitën negociuese, por mbështeten te kontrata afatgjatë e lojtarit dhe interesimi i madh që ai vazhdon të ketë në tregun evropian.

Transferimi në “Santiago Bernabeu” shihet si një destinacion ideal për Fernandezin, i cili duket i gatshëm të nisë një kapitull të ri në karrierë. Chelsea po ndjek me kujdes zhvillimet e merkatos, në një sagë që premton të jetë një nga historitë më të mëdha të verës.

Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Real Madridi do të vendosë të bëjë sakrificën e madhe financiare për ta veshur argjentinasin me fanellën e bardhë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër