Bayern Munich vazhdon të kërkojë përforcime në repartin defensivë për sezonin e ardhshëm dhe një nga emrat që ka hyrë në radarët e klubit bavarez është mbrojtësi i Juventusit, Bremer.
Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, mbrojtësi brazilian, i cili ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2029, mund të largohet gjatë verës për shkak të situatës financiare të klubit italian.
Pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, Juventusi ka nevojë për të ardhura të rëndësishme dhe shitja e Bremer mund të ndihmojë në balancimin e financave. Mediumi italian raporton se mbrojtësi vlerësohet rreth 40 milionë euro, ndërsa bardhezinjtë shpresojnë që paraqitjet e tij në Kupën e Botës për Klube ta rrisin edhe më shumë vlerën e kartonit.
Raporti shton se një transferim i mundshëm i Bremer në Mynih mund të hapte derën për një lëvizje në drejtimin e kundërt, me Kim Min-jae që pëlqehet shumë nga trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti.
Spalletti e njeh mirë mbrojtësin koreano-jugor nga koha kur të dy fituan titullin kampion në Itali me Napolin dhe e konsideron atë si përforcimin ideal për qendrën e mbrojtjes.
Megjithatë, sipas të njëjtit burim, Juventusi është i interesuar vetëm për një marrëveshje huazimi për Kim Min-jae, ndërsa bisedimet mes palëve thuhet se tashmë kanë nisur.
Në javët e fundit, disa emra janë lidhur me Bayernin për repartin defensivë. Mes tyre përmenden edhe Yann Bisseck i Inter Milan, si dhe Josko Gvardiol i Manchester City.
Ndërkohë, interesim për Bremer ka shfaqur edhe kampioni aktual i Italisë, Interi që gjithashtu dëshiron transferimin e tij.

