Gogu me komisionerin McGrath në Bruksel: Drejtësia, koha për performancë institucionale

Nga D. V.
301 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi dje takimin e parë me Komisionerin e BE-së për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, në kuadrin e Konferencës Ndërqeveritare të Grupkapitullit 1 që u zhvillua këtë javë në Bruksel.

Takimi u zhvillua një ditë pas miratimit të Pozicionit të Përbashkët të BE-së mbi Grupin 1 të negociatave, Themeloret, duke e vendosur bisedën në kontekstin e drejtpërdrejtë të mbylljes së kapitujve 23 dhe 24.

Komisioneri McGrath vlerësoi miratimin e piketave të ndërmjetme (IBAR) si “arritje të rëndësishme” për Shqipërinë, duke theksuar se puna e mbetur përpara është e konsiderueshme, por edhe se BE-ja është e vendosur ta mbështesë Shqipërinë deri në vijën e finishit, anëtarësimin europian. McGrath shprehu gjithashtu kënaqësinë për vizitën e ardhshme në Tiranë.

Ministri Gogu vuri në dukje se reforma në drejtësi ka kaluar fazën strukturore.

“Kemi ngritur strukturën e sistemit. Vettingu u mbyll me sukses. SPAK po punon. Tani ka ardhur koha e performancës institucionale, trajtimi i vonesave në vlerësime, ulja e backlogut dhe ekzekutimi efektiv i vendimeve gjyqësore”, tha ministri.

Biseda u fokusua në tre shtylla kryesore: pavarësia e pakthyeshme e gjyqësorit si standard europian dhe jo si kusht politik i izoluar; matjet konkrete të progresit, ulja e backlogut të Gjykatës së Lartë, platforma JURONIX dhe harmonizimi i statistikave gjyqësore; si dhe fushat e bashkëpunimit teknik me DG JUST për sistemin e integruar të menaxhimit të çështjeve, alternativat ndaj paraburgimit, dhe Shkollën e Magjistraturës.

Gogu theksoi se Shqipëria synon të jetë jo vetëm marrëse e ekspertizës europiane, por kontribuese aktive në dialogun europian mbi sundimin e ligjit, duke evokuar Forumin e Drejtësisë të Tiranës dhe Kongresin Botëror të Ligjit.

Takimi u vlerësua si fillim i një marrëdhënieje pune të rëndësishme institucionale, me perspektivën e vizitës së Komisionerit McGrath në Tiranë në muajt e ardhshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër