Tiranë, 28 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur sot se Këshilli i Ministrave miratoi tri vendime që lidhen me fushën e mbrojtjes.
Nufi tha se vendimi i parë ka të bëjë me zgjatjen e misionit shqiptar në Letoni.
“Kemi një togë të dislokuar në territorin e Letonisë dhe do të zgjatet qëndrimi deri më 31 dhjetor 2029. Ky vendim shërben për konsolidimin e Forcave të Armatosura, sidomos në misionet e tyre në kuadër të NATO-s dhe konkretisht në Letoni”, u shpreh ai.
Ministri vlerësoi njëherësh edhe angazhimin e forcave shqiptare në operacionet e çminimit.
“Kemi edhe një togë që merret me të gjitha veprimet që lidhen me çminimin e zonave të minuara. Jemi krenarë për angazhimin e tyre. Besoj se kjo kohëzgjatje i shërben sigurisë së përbashkët kolektive në kuadër të NATO-s”, tha Nufi.
Sipas tij, vendimi i dytë lidhet me njësimin e gradave ushtarake.
“Në vitin 2015, me miratimin e VKM-së dhe më pas me ndryshimet në strukturë, kanë ekzistuar disa mospërputhje, të cilat janë adresuar me vendimin e sotëm”, deklaroi ministri.
