Athinë, 28 maj, Zhurnal.mk – Rreth 400 migrantë janë shpëtuar pranë Kretës në 48 orët e fundit, sipas një raporti sot të transmetuesit grek ERTNews.
Roja bregdetare greke dhe agjencia evropiane për mbrojtjen e kufijve “Frontex” morën pjesë në operacionet e shpëtimit në det.
Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, kishte deklaruar më herët këtë muaj se rreth 550 000 migrantë ndodhen në Libi në pritje të një mundësie për të ndërmarrë kalimin e rrezikshëm drejt Evropës.
Autoritetet thonë se kushtet e qeta atmosferike mes Libisë dhe ishullit grek të Kretës po nxisin kalime të tjera detare.
Roja bregdetare bëri të ditur se aktualisht edhe anije të tjera me migrantë janë nisur nga Libia.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), rreth 42 000 migrantë mbërritën me rrugë detare në ishujt grekë vitin e kaluar.
Sipas UNHCR-së, të paktën 107 persona humbën jetën në Mesdhe gjatë së njëjtës periudhë.
Megjithatë, besohet se numri real i viktimave është shumë më i lartë, pasi shumë njerëz mund të kenë humbur jetën në det pa u zbuluar.
