Tiranë, 28 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka zhvilluar një takim në Tiranë me ish-kryeministrin e Shqipërisë dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Sipas njoftimit të bërë publik nga vetë Kasami, në qendër të këtij takimi ka qenë nevoja për rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit mbarëshqiptar në rajon.
“Biseduam rreth nevojës për përmirësimin e bashkëpunimit ndërshqiptar, për çështjet aktuale politike dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian”, ka bërë të ditur Kasami.
Gjatë bashkëbisedimit, kreu i Tetovës ka shfrytëzuar rastin ta urojë kreun e PD-së për rikthimin dhe rizgjedhjen e tij në krye të partisë, duke i uruar sukses në betejat dhe sfidat e ardhshme politike në Shqipëri.
Në fund, lideri i VLEN-it ka theksuar se ky takim shënon vazhdimësinë e një komunikimi të ngushtë me synim koordinimin më të mirë politik të faktorit shqiptar në mbarë rajonin.
