Shkup, 28 maj Zhurnal.mk – Arben Taravari, deklaroi mbrëmë se Ziadin Sela dhe Menduh Thaçi nuk veprojnë plotësisht si opozitë, pasi sipas tij, në situata të caktuara bashkëpunojnë dhe koordinohen me pushtetin. Taravari përmendi si shembull zhvillimet në Tetovë, ku sipas tij, dy këshilltarë të ASH-së së Selës u larguan nga grupi i këshilltarëve në ditën kur në Këshillin Komunal votohej për rritjen e çmimit të mbeturinave dhe ujit.
“Unë mendoj se ata janë diku në mes opozitës edhe pushtetit. Pse e them këtë? Në ditën që votohet shtrenjtimi i çmimit për mbledhjen e plehrave dhe ujit në Tetovë, në atë ditë këshilltarët e Ziadin Selës dalin prej grupit të këshilltarëve të ASH-së në Tetovë. Dhe kjo nuk mund të jetë pa koordinim, është e pamundur të jetë. Në Saraj kemi një shumicë të ngushtë, 10 me 9. Dhe një këshilltar i Ziadin Selës del me VLEN-in dhe funksionon me VLEN-in për zgjedhjen e kryetarit të këshillit të ri”, tha Taravari
Ndaj këtyre deklaratave reagoi këshilltari Komunal të Tetovës, Arlin Murtezani nga partia e Selës. Ai akuzoi Taravarin për manipulim dhe gënjeshtra.
“Arben Taravari në emisionin ‘Click Plus’ e bëri atë që di ta bëjë më së miri. Pra, manipuluesin dhe gënjeshtarin. Fillimisht ai lëshoi një sërë akuzash ndaj kryetarit dhe subjektit që ne përfaqësojmë dhe neve si këshilltarë në Komunën e Tetovës. Vlen të theksohet se ne… se përpjekja… përgënjeshtrimi ndaj asaj që e tha Taravari gjatë seancës së Komunës së Tetovës është lehtësisht e verifikueshme, për shkak se seancat janë online dhe ka qasje edhe sot. Ne në atë seancë kemi kundërshtuar ashpër dhe në fund kemi votuar edhe kundër rritjes së faturave të mbeturinave, për dallim nga këshilltarët e Taravarit, të cilët zgjodhën heshtjen në koordinim politik si këshilltarë të Tetovës me Komunën e Gostivarit. Ne po atë ditë e kuptuam edhe arsyen që ishte skandaloze. Arsyeja është se Komuna e Gostivarit dhe disa komuna të tjera përreth nuk i kryejnë obligimet financiare që i kanë ndaj Rusinos”, tha Murtezani.
Rritja e çmimit të mbeturinave në Tetovë për 20 % ka bërë që të ketë shumë akuza mes pushtetit dhe opozitës, ndërsa rritja do të hyj në fuqi me 1 qershor që do të thotë se qytetarët rritjen e çmimit të mbeturinave do e ndjejnë me pranimin e faturave në muajin korrik.
