Lidhja Shqiptare reagon pas largimit të Arben Fetait nga Qeveria: Si hynë, ashtu edhe dolën, me tradhti e servilizëm

Nga R.ZH
732 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 qershor, Zhurnal.mk – Lidhja Shqiptare, e udhëhequr nga Zijadin Sela, ka reaguar ashpër pas dorëheqjes së Arben Fetait nga posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, duke akuzuar atë dhe Arben Taravarin për tradhti politike, servilizëm dhe mashtrim të elektoratit shqiptar.

Në reagimin e partisë thuhet se zhvillimet e fundit konfirmojnë paralajmërimet që ata kishin bërë dy vite më parë lidhur me angazhimin politik të Fetait dhe Taravarit.

“Turpi turpin e njeh. Si hynë, ashtu edhe dolën, me tradhti e servilizëm. E vërteta vonon, por nuk humbet. Sot u konfirmua gjithçka që ne thamë dy vite më parë dhe këtë nuk e bëri askush tjetër, veç ata vetë, Arben Fetai dhe Arben Taravari, me gojën dhe shkrimet e tyre”, thuhet në reagim.

Lidhja Shqiptare vlerëson se të dy politikanët hynë në Qeveri përmes “servilizmit” dhe po largohen në të njëjtën mënyrë.

“Me postime turpi në Facebook hynë në Qeveri si servilë dhe me postime turpi po dalin nga ajo, duke garuar se kush ishte më servil se tjetri”.

“Arben Fetai sot kumtoi dorëheqjen nga një post që prej muajsh e kishte braktisur ose nga i cili ishte përjashtuar. Dje akuzonte se revolucioni ia hëngri kokën, ndërsa sot shpreh mirënjohje ndaj atyre që, sipas tij, e shfrytëzuan, e turpëruan dhe në fund e hodhën si të pavlerë”, thuhet më tej.

Në reagim kritikohet edhe Arben Taravari, për të cilin Lidhja Shqiptare thotë se po flet për dinjitet politik, ndonëse, sipas tyre, ka qenë pjesë e proceseve që kanë dëmtuar përfaqësimin politik të shqiptarëve.

“Tjetri, Arben Taravari, duke u fshehur pas logos së partisë që e vodhi dhe e degradoi, i flet sot për dinjitet adashit të tij, me të cilin bashkë sollën të keqen, bashkë përçanë, bashkë u servilosën, bashkë degraduan shqiptarët dhe të dy, pa asnjë dallim, u larguan nga Qeveria në të njëjtën mënyrë”, thuhet në reagim.

Lidhja Shqiptare shton se nuk do të habitej nëse Fetai dhe Taravari do të bashkëpunonin sërish politikisht në të ardhmen, por vlerëson se qytetarët tashmë kanë krijuar një pasqyrë të qartë për veprimet e tyre politike.

“Nuk na habit nëse bashkoheni prapë, sepse ju bashkon skadenca dhe përdorimi i njëhershëm. Por tanimë ju kanë rënë maskat. Ju njohin shqiptarët, ju njohin bashkëudhëtarët e deridjeshëm, ju njohin ata që i tradhtuat, ata që i mashtruat dhe në fund i braktisët. Turpi do t’ju ndjekë gjithë jetën”, përfundon reagimi i Lidhjes Shqiptare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër