Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani deklaroi sot se marrëveshja për sigurimet shoqërore me Poloninë garanton mbrojtje sociale për qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe kontribuojnë në të dy vendet.
Gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Manjani theksoi se marrëveshja siguron njohjen e periudhave të sigurimit për përfitimet që lidhen me pensionet, papunësinë dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast humbjeje jete të personit të siguruar.
“Sigurohet që periudhat e sigurimit të merren në konsideratë edhe për përcaktimin e të drejtave që lidhen me papunësinë dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast humbjeje të jetës së personit të siguruar”, u shpreh Manjani.
Sipas saj, marrëveshja përcakton mekanizma të qartë bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të të dy vendeve, duke lehtësuar procedurat për qytetarët përfitues.
Zv/ministrja nënvizoi se marrëveshja nuk krijon menjëherë detyrime financiare për buxhetin e shtetit, pasi përfitimet mbështeten mbi parimin kontribues dhe financohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
“Marrëveshja nuk krijon menjëherë detyrime financiare, pasi përfitimet mbështeten mbi parimin kontribues dhe financohen nga ISSH”, deklaroi ajo.
Manjani e cilësoi marrëveshjen pjesë të rrjetit të zgjeruar të marrëveshjeve dypalëshe që Shqipëria ka lidhur me vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, në funksion të mbrojtjes sociale të emigrantëve shqiptarë.
“Kjo marrëveshje është pjesë e një rrjeti të zgjeruar marrëveshjesh dypalëshe që Shqipëria ka lidhur me vendet e BE-së dhe më gjerë. Ajo garanton mbrojtje sociale për çdo qytetar shqiptar kudo ku ai jeton dhe kontribuon”, tha Manjani.
Ajo shtoi se përmes zgjerimit të marrëveshjeve dypalëshe, Shqipëria po ndërton jo vetëm instrumente juridike, por edhe garanci konkrete për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
“Përmes zgjerimit të marrëveshjeve dypalëshe nuk po ndërtojmë vetëm instrumente juridike, por po mbrojmë punën dhe kontributet e bashkëqytetarëve tanë jashtë vendit, duke i shndërruar ato në të drejta të prekshme sociale”, u shpreh Manjani.
Sipas saj, ky është një angazhim i drejtpërdrejtë i shtetit shqiptar ndaj diasporës për të forcuar lidhjet me të dhe për të garantuar që askush të mos humbasë të drejtat për shkak të lëvizjes ndërmjet vendeve të ndryshme.
“Kjo qasje ofron standardet evropiane, konsolidon sistemin tonë të mbrojtjes sociale dhe reflekton angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian”, përfundoi zv/ministrja.
Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë për sigurimet shoqërore, e cila është nënshkruar në Varshavë më 23 shkurt 2026. Marrëveshja parashikon koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore për personat e punësuar, të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit, si dhe garanton ruajtjen e të drejtave të fituara nga qytetarët që lëvizin nga një vend në tjetrin.
Shqipëria ka zgjeruar ndër vite rrjetin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e sigurimeve shoqërore, duke garantuar mbrojtje sociale për qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Kjo është marrëveshja e 11-të që Shqipëria ka me vendet e Bashkimit Europian për njohjen e viteve të pensionit dhe e 17-ta në total me vende të tjera, duke zgjeruar rrjetin e mbrojtjes sociale për qytetarët tanë.
Zbatimi me Republikën e Turqisë nisi në vitin 2005, ndërsa më pas me Mbretërinë e Belgjikës nga janari 2016, Dukatin e Madh të Luksemburgut nga 1 korriku 2016, Republikën e Maqedonisë së Veriut nga 1 qershori 2016, Republikën e Hungarisë nga korriku 2016, si dhe Republikën Çeke nga 1 shkurti 2017.
Marrëveshja me Republikën Federale të Gjermanisë hyri në zbatim më 1 dhjetor 2017, ndërsa ajo me Republikën e Austrisë nga 1 dhjetori 2018.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka zgjeruar bashkëpunimin edhe me Republikën e Kosovës, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes nga 1 korriku 2022, me Kanadanë nga 1 gushti 2022, me Konfederatën Zvicerane nga 1 tetori 2023, Republikën e Kroacisë nga 1 maji 2024 dhe Republikën e Bullgarisë nga 1 qershori 2024.
Po ashtu, marrëveshja me Rumaninë ka hyrë në zbatim më 3 shkurt 2025, me Malin e Zi nga 1 qershori 2025, ndërsa së fundmi ka nisur zbatimi edhe i marrëveshjes me Republikën e Italisë, nga data 1 korrik 2025.
