MSH: Dhurimi i organeve nga një familje solli jetë dhe shpresë për të tjerët

Nga D. V.
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 03 qershor, Zhurnal.mk – Ministria e Shëndetësisë njofton se një familje ka dhuruar organe, ndërsa janë shpëtuar disa jetë njerëzish.

“Kur dhimbja është e padurueshme dhe fjalët nuk kanë forcë, ekzistojnë njerëz që gjejnë fuqinë për të marrë ndoshta vendimin më human. Pikërisht këtë e bëri një familje, e cila në çastet më të vështira të jetës së saj vendosi t’u dhurojë jetë të tjerëve. Me këtë vendim të jashtëzakonshëm për dhurim organesh, njeriu i dashur i tyre vazhdon të jetojë në zemrat, trupat dhe buzëqeshjet e njerëzve që sërish kanë një mundësi për jetë”.

“Në kraharorin e një pacienti 52-vjeçar, i cili që nga viti 2021 priste me padurim dhe besim në listën kombëtare për transplantim – prej sot rreh një zemër e re. Simbol i një jete të re, një fillimi të ri dhe mirënjohjeje të pafund. Njëkohësisht, një djalë 23-vjeçar mori një veshkë dhe bashkë me të, një mundësi për një jetë më cilësore. Janë dhuruar edhe inde kockore, një tjetër dhuratë e jashtëzakonshme, që do të ndihmojë në shërim dhe rikthim të jetës”, thonë nga MSH.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh respektin e saj më të thellë për këtë familje të guximshme. Vendimi i tyre për ne është udhërrëfyes në krijimin e politikave të ardhshme. Falënderim për të gjithë punonjësit shëndetësorë, përkushtimi, ekspertiza dhe profesionalizmi i të cilëve e realizuan këtë mision fisnik për shpresë dhe jetë të re”, thotë Azir Aliu.

“Respekt i madh për familjen e donatorit të ndjerë, e cila me këtë vendim të guximshëm vendosi ta ndryshojë fundin e historisë së dikujt. Kur jemi të bashkuar dhe kemi një mision kaq human, së bashku dhe si ekip mund të lëvizim kufijtë”, thotë Biljana Kuzmanovska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër