Shkup, 3 qershor Zhurnal.mk – Gjykata Penale mbrëmë vonë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev, dhe tre personave të tjerë të dyshuar, kërkuar për të mos u arratisur nga vendi ose për të ndikuar mbi dëshmitarët.
“Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit për caktimin e masës ndaj 4 personave për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprat penale Shpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie e kontratës për prokurim publik ose partneritet publik-privat, Pranim i shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe Dhënie e shpërblimit për ndikim të paligjshëm, të cilët pasdite u sollën në gjykatë, pas deklarimit të tyre në prani të mbrojtësit, mori vendime me të cilat propozimi për caktimin e masës së paraburgimit ndaj S.B., D.G., A.S. dhe S.M. pranohet dhe të gjithëve u caktohet masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Masa është caktuar për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1 i Ligjit për Procedurën Penale. Kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankese para Këshillit Penal”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Ish-kryetari i komunës së Karposhit dhe tre persona të tjerë dyshohen se kanë abuzuar me funksionin gjatë dhënies së një tenderi për një kompani për pastrimin e pikave kufitare dhe terminaleve doganore.
Bogoev, ish-nënkryetar i LSDM-së, akuzohet se ka marrë ryshfet prej 1.800 eurosh.
Gjykata nuk i pranoi garancitë financiare të mbrojtjes.
