Paga pa shkuar në punë është fyerje për qytetarët e papunë!

Nga I.A
947 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 qershor, Zhurnal.mk – Në një vend si Maqedonia e Veriut ku papunësia vazhdon të jetë një plagë e madhe ku mijëra qytetarë presin me vite për një vend pune, skandali i zbuluar në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) është një paradoks i rrallë, i pasuar nga keqqeverisja e qeverisë së kaluar. Rreth 20 deri në 30 të punësuar kanë marrë paga për 6-7 vite pa u paraqitur fare në punë, ndërsa kolegët e tyre paguheshin me nga 200 euro për t’ua evidentuar kartelat e prezencës. Ky fenomen nuk është thjesht një shkelje disiplinore, por një pasqyrë e qartë e korrupsionit sistemik dhe mungesës së kontrollit institucional, shkruan Zhurnal.

Skandali i ISHP-së pasqyrë e keqpërdorimeve masive të pushtetit të kaluar

Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2024 ka dhënë opinion negativ për pasqyrat financiare të ISHP-së, duke vënë në dyshim vërtetësinë dhe objektivitetin e tyre. Fakti që ky institucion nuk ishte nënshtruar revizionit që nga viti 2017 tregon për një neglizhencë të qëllimshme, e cila ka krijuar terren për abuzime të tilla. Drejtoresha aktuale, dr. Maria Andonovska, ka pranuar se parregullsitë ishin të shumta dhe se dosjet tashmë janë dorëzuar për hetim tek organet kompetente.

Ky keqpërdorim masiv bëhet më i dhembshëm kur mijëra të rinj emigrojnë për shkak të mungesës së një vendi pune, fakti që disa individë marrin paga pa punuar është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të papunë. Pra, krijohet një situatë që kemi të bëjmë me qytetarë që luftojnë për mbijetesë dhe atyre që përfitojnë nga keqpërdorimet e kësaj natyre.

Përgjegjësia institucionale dhe politike

Ky rast nuk mund të shihet vetëm si faj i individëve që abuzuan me paratë publike. Por, është rezultat i mungesës së kontrollit, transparencës dhe përgjegjësisë institucionale. Organet e kontrollit shtetëror duhet të shpjegojnë pse për shtatë vite nuk u krye asnjë revizion.

Ky rast duhet të shërbej si mësim që çdo institucion publik duhet të jetë nën kontroll të vazhdueshëm financiar dhe administrativ. Por, jo vetëm kaq pasi duhet edhe sanksione ligjore jo vetëm largim nga puna, por edhe ndjekje penale për ata që kanë përfituar paga pa punuar. Raportet e revizionit duhet të publikohen dhe të jenë të qasshme për qytetarët në mënyrë që të rritet edhe presioni publik.

Reforma në sistemin e evidencës së punës – kartelat e prezencës nuk duhet të manipulohen lehtësisht; duhen mekanizma digjitalë të sigurt. E kur jemi te mënyra se si është keqpërdorur sistemi i evidencës në punë, ka metoda tjera ku evidentimi bëhet me vendosjen e gishtit dhe që me automatizëm minohet hapësira që një person të shtyp shumë kartela.

Komisioni Evropian pati ngritur shqetësim për të rinjtë e papunë

Derisa gjatë vitit 2025 kishte persona që merrnin paga fare pa shkuar në punë, Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian i po këtij viti, pra vitit 2025, dha vlerësim të ulët për papunësinë e të rinjve në RMV, duke theksuar se ajo mbetet krizë dhe se masat e parashikuara për të rinjtë janë zbatuar vetëm pjesërisht.

“Pas miratimit të planit të zbatimit të garancisë rinore për vitet 2023-2026. Skema e Garancisë për Rininë përfshin gjithsej 21.641 të rinj të papunë, nga të cilët 11 032 janë gra. Prej këtyre 7.116 të rinj u punësuan, ndërsa 1.564 morën pjesë në masa aktive të punësimit për të rritur punësimin. Masat e punësimit krijuan vende pune, me 251 persona që përfituan nga subvencione pagë dhe 281 nga krijimi i vendeve të reja të punës”, thuhet në raport.

Në raport KE thekson se Strategjia e re për Planin e Veprimit për Punësim për periudhën 2025-2027 duhet të miratohet. Pra, alarm nga BE për papunësinë e brenda vendit keqpërdorime masive me paranë publike.

Kujtojmë që, ky paradoks i pagave pa punë në një vend si RMV që vuan nga papunësia është shqetësim i madh për shoqërinë. Ky rast nuk duhet të mbetet vetëm si një skandal i radhës, por si një pikë kthese për të kërkuar reforma të thella në administratën publike. Sepse nëse lejohet që paga të merret pa punë, atëherë e gjithë shoqëria humb besimin tek shteti dhe tek drejtësia. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër