Shkup, 5 qershor, Zhurnal.mk – Problemi me qentë endacakë në Shkup nuk mund të zgjidhet brenda natës, por me strategjinë e re, për një vit e gjysmë deri në dy, qytetarët do të duhet ta harrojnë këtë temë, deklaroi sot drejtori i Ndërmarrjes Publike “Laika”, Vojislav Dimitrovski, para hapjes së festivalit treditor “Laika Fest”, shkruan Nezavisen, transmeton Zhurnal.
Në kuadër të ngjarjes, në ambientet e Qytetit të Shkupit u mbajt një panel-diskutim me ekspertë vendas dhe të huaj me temë: “Sistemi, ligjet dhe realiteti: Menaxhimi i popullatës së qenve endacakë”. Sipas kreut të ndërmarrjes, “Laika” aktualisht po arrin rezultate rekord në trajtimin e kafshëve endacake, por për një zgjidhje të qëndrueshme është e domosdoshme të ndalet “shkaktimi i zjarrit”, pra pronësia e papërgjegjshme dhe krijimi i leglave të reja të pakontrolluara nga qytetarët.
“Nëse vitin e kaluar në Shkup u trajtuan gjithsej 1.000 qen, objektivi ynë për këtë vit është të përfundojmë me 2.000 deri në 2.200 qen të trajtuar. Në prill patëm rekord me 138 qen të trajtuar në një muaj, në maj 122, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit të arrijmë kapacitetin e 200 qenve në muaj,” deklaroi drejtori.
Për të arritur këtë synim ambicioz, “Laika” planifikon të zbatojë një model të ri, të marrë nga Sarajeva dhe Bitola, i cili nënkupton përfshirjen e të gjitha shoqërive private veterinare të interesuara në sistem, duke rritur paralelisht kapacitetin për kastrim dhe sterilizim. Gjithashtu, po zhvillohet programi i kujdesit të përkohshëm (fostering), përmes të cilit qytetarët do të mund të strehojnë përkohësisht dhe të socializojnë qentë deri në adoptimin e tyre të përhershëm.
Dimitrovski informoi se NP “Laika” ka kapacitet zyrtar për 140 qen, por aktualisht janë të strehuar rreth 180, një pjesë e të cilëve në bokse të jashtme që nuk e cenojnë mirëqenien e tyre. Ai shtoi se së bashku me Qytetin e Shkupit dhe kryetarin po punohet seriozisht për gjetjen e një lokacioni dhe projektimin e një objekti të ri. Financat për këtë qëllim nuk paraqesin problem, ndërsa është në proces përgatitja e një monitorimi të detajuar për të përcaktuar numrin e saktë të qenve në rrugë dhe nivelin e socializimit të tyre, mbi bazën e të cilit do të dizajnohet qendra e re.
Statistikat e ndërmarrjes, sipas Dimitrovskit, tregojnë se mes 35 dhe 38 për qind e qenve të kapur adoptohen, çka konsiderohet përqindje e lartë. Gjysma e tyre mbeten në vend, ndërsa gjysma tjetër shkojnë tek adoptues në shtete të huaja.
Çfarë parashikon strategjia e re?
Strategjia e re, e hartuar nga Dhoma e Veterinerëve dhe e mbështetur nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AHV), parashikon vendosjen e kontrollit mbi strehimoret e kafshëve dhe mbikëqyrje të rreptë veterinare për pronarët që refuzojnë kastrimin ose sterilizimin e kafshëve shtëpiake.
Panel-diskutimi u organizua nga Qyteti i Shkupit dhe NP “Laika”, ku u hap një debat që prek të gjithë qytetarët – sfidat sistemike, kuadrin ligjor, bashkëpunimin institucional dhe zgjidhjet humane të lidhura me menaxhimin e popullatës së qenve endacakë. /Zhurnal.mk
