Ahmeti nga Shkupi: BDI nuk frikësohet dhe nuk mposhtet, mbetemi të përkushtuar për integrimin evropian

Nga Xh M
966 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 qershor Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nga tubimi qendror në Parkun e Qytetit në Shkup me rastin e 24-vjetorit të themelimit të partisë, dërgoi mesazhe të qarta drejt pushtetit, duke theksuar se BDI-ja nuk mund të frikësohet dhe as të mposhtet politikisht.

Në fjalimin e tij para anëtarëve dhe simpatizantëve, Ahmeti tha se ai dhe partia që drejton mbeten të përkushtuar ndaj ndërtimit të një Maqedonie të përbashkët, demokratike dhe euroatlantike, duke theksuar se BDI-ja do të vazhdojë të punojë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Duke bërë një retrospektivë të arritjeve të shqiptarëve që nga viti 2002 e deri më sot, Ahmeti numëroi një sërë zhvillimesh që, sipas tij, mbajnë vulën e BDI-së. Ai përmendi anëtarësimin e vendit në NATO, zgjedhjen e kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit, emërimin e kryeministrit të parë shqiptar dhe procese të tjera që kanë kontribuar në avancimin e pozitës së shqiptarëve në shtet.

“Gjithçka e mirë që është arritur në këto vite mban vulën e BDI-së”, tha Ahmeti, duke vlerësuar se partia e tij ka luajtur rol vendimtar në proceset më të rëndësishme politike dhe shtetformuese në vend.

Lideri i integristëve theksoi gjithashtu se qëllimi i BDI-së nuk është destabilizimi i vendit, por integrimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ai u bëri thirrje udhëheqësve aktualë të nxjerrin mësime nga gabimet e ish-udhëheqësve të Jugosllavisë, të cilët, sipas tij, menduan se mund të ndërtonin shtete të qëndrueshme pa shqiptarët, por përfunduan duke i shkatërruar ato.

Tubimi në Parkun e Qytetit u organizua në kuadër të shënimit të 24-vjetorit të themelimit të BDI-së, ku drejtuesit e partisë riafirmuan orientimin proevropian dhe angazhimin për vazhdimin e proceseve integruese të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër