Radhev: Maqedonia e Veriut duhet vetëm t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë

Nga Xh M
999 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tivat, 5 qershor Zhurnal.mk – Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi se hapi i vetëm që duhet të ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të nisur negociatat me Bashkimin Evropian është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë. Deklarata u bë para fillimit të samitit BE–Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tivat.

“Jemi të gatshëm të ndihmojmë çdo vend që synon anëtarësimin në BE, veçanërisht vëllezërit tanë nga Maqedonia e Veriut. Presim që më në fund të përmbushin kornizën negociuese. Ekziston konsensusi i arritur dhe tani mbetet vetëm ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në të. Ky është hapi i vetëm i nevojshëm për t’u hapur rruga negociatave”, tha Radhev.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi Bashkimin Evropian për ritmin e ngadaltë të procesit të zgjerimit, duke vlerësuar se përgjegjësia nuk qëndron vetëm te vendet kandidate.

“Nëse për 13 vjet nuk kemi pranuar asnjë anëtare të re, kjo tregon se problemet nuk janë vetëm te kandidatët, por edhe te vetë Bashkimi Evropian”, deklaroi Merz para takimeve në Tivat.

Ai theksoi se BE-ja duhet të dëshmojë se është e gatshme dhe e aftë për zgjerim, duke shtuar se disa vende të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Mali i Zi, kanë bërë përparim të dukshëm në rrugën e tyre evropiane.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania prezantuan një dokument të përbashkët me të cilin kërkojnë një “impuls të ri” për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Dokumenti propozon një model të integrimit gradual, të bazuar në merita, që do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfitonin qasje të plotë në tregun e brendshëm evropian edhe para anëtarësimit formal në BE.

Sipas propozimit franko-gjerman, procesi aktual i anëtarësimit duhet të thjeshtohet dhe të reduktohet burokracia, me qëllim përshpejtimin e negociatave dhe afrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me strukturat evropiane. Dokumenti parashikon një qasje të re, ku progresi i secilit shtet do të vlerësohet sipas rezultateve konkrete dhe reformave të realizuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër