Tiranë, 08 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj priti sot kryetarin e parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj vlerësoi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet shumë të mira e miqësore me Kroacinë, të nxitura nga prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme dhe i njëjti vizion i të dyja vendeve për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
“Një rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënie, – theksoi Presidenti, – ka luajtur edhe bashkëpunimi ndërparlamentar i dy vendeve.”
Kreu i Shtetit theksoi mbështetjen e vazhdueshme politike të Kroacisë për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por dhe ndihmën teknike, duke ndarë përvojën dhe ekspertizën e saj gjatë gjithë procesit të pranimit.
“Rruga juaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të na frymëzojë, duke treguar se reformat e vendosura, të udhëhequra nga një vizion i qartë evropian, sjellin rezultate të prekshme për qytetarët dhe të gjithë rajonin”, theksoi Presidenti i Republikës gjatë takimit me kryetarin e parlamentit të Kroacisë.
Kreu i Shtetit nënvizoi, gjithashtu, angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur qëllimin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje rezultatet konkrete të reformave të zbatuara vitet e fundit, të cilat janë njohur nga partnerët evropianë.
“Ndërsa Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare, fokusi do të jetë në mbylljen e kapitujve dhe finalizimin e negociatave”, theksoi Kreu i Shtetit, duke shprehur bindjen për mbështetjen e palëkundur nga Kroacia dhe parlamenti i saj.
“Fqinjësia e mirë dhe fryma bashkëpunuese duke parë nga e ardhmja janë thelbësore për një rajon të sigurt dhe të begatë”, theksoi Kreu i Shtetit.
Në këtë kontekst, Presidenti Begaj shprehu se Shqipëria e vlerëson angazhimin për të mbështetur integrimin e plotë të Kosovës në strukturat rajonale dhe euroatlantike.
