Shkup, 8 qershor Zhurnal.mk – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të konsultimeve të rregullta sipas nenit IV për vitin 2026, vlerësoi se ekonomia e vendit tregon qëndrueshmëri dhe stabilitet pavarësisht sfidave të mjedisit ekonomik global, me rritjen ekonomike që po përshpejtohet, borxhin publik që po stabilizohet dhe sektorin financiar që mbetet i fuqishëm dhe likuid.
Në raportin e FMN-së, i publikuar sot, theksohet se rritja ekonomike në vitin 2025 arriti në 3.5%, e nxitur nga aktiviteti i fuqishëm i investimeve dhe rritja e konsumit privat. Në të njëjtën kohë, konstatohet se pavarësisht sfidave në anën e të ardhurave, qëllimet fiskale për vitin 2025 janë përmbushur, kurse borxhi publik shënoi rënie të lehtë si rezultat i rritjes së fuqishme nominale të ekonomisë.
Bordi Ekzekutiv i FMN-së në raportin e tij përgëzon angazhimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave për konsolidimin fiskal dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.
Në raport theksohet se përpjekjet e vazhdueshme për uljen e deficitit buxhetor, përmirësimin e arkëtimit të të ardhurave, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe menaxhimin e përgjegjshëm të borxhit publik janë të rëndësishme për përforcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së ekonomisë.
Njëkohësisht, Fondi thekson nevojën për monitorim të kujdesshëm të risqeve të jashtme, veçanërisht në kushtet e pasigurisë së shtuar në tregjet ndërkombëtare dhe presioneve të tjera që vijnë nga rritja e çmimeve të energjisë.
Në raport vlerësohet pozitivisht edhe progresi i vendit tonë në kuadër të Planit të rritjes të Bashkimit Evropian, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave të orientuara drejt përmirësimit të produktivitetit, mjedisit afarist, sundimit të të drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
Në raport thuhet se në periudhën e ardhshme është e rëndësishme të vijojnë të gjitha aktivitet e lidhura me konsolidimin fiskal, përforcimin e administratës tatimore dhe përmirësimin e efikasitet të konsumit publik dhe të investimeve të huaja.
FMN-ja rekomandon gjithashtu edhe nevojën e zbatimit të mëtejshëm të reformave strukturore për rritjen e produktivitetit, përmirësimin e klimës afariste, përmirësimin e menaxhimit të ndërmarrjeve publike dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale. Njëkohësisht, theksohet rëndësia e reformave në sektorin energjetik, në tregun e punës dhe masat që do të sjellin rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirse, si dhe përafrimin më të shpejtë të standardeve ekonomike të Bashkimit Evropian.
Misioni i FMN-së u realizua në periudhën nga data 18 deri më 31 mars 2026, ndërsa raporti është përgatitur në bazë të konstatimeve preliminare të publikuara pas përfundimit të tij. Konsultimet sipas nenit 4 janë të rregullta dhe realizohen një herë në vit.
