Shkup, 28 shtator Zhurnal.mk – Më shumë se 50 mijë gra dhe vajza në vit vriten nga partnerët intimë ose anëtarë të tjerë të familjes, u theksua në Konferencën Rajonale për Femicide në Evropën Juglindore, e cila ka nisur sot në Kuvend.
Nga konferenca u përcoll mesazhi se femicidi nuk duhet të trajtohet si një problem i izoluar apo çështje private familjare, por si pikë kulmore e një procesi më të gjatë të dhunës me bazë gjinore, e cila në shumë raste është injoruar ose nuk është identifikuar në kohë, shkruan Zhurnal.mk.
Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë, gjatë vitit 2024 në nivel global u vranë rreth 83 mijë gra dhe vajza, ndërsa rreth 50 mijë prej tyre u vranë nga partneri intim ose një anëtar i familjes. Kjo nënkupton një mesatare prej rreth 137 grave dhe vajzave të vrara çdo ditë. Të dhënat për vitin 2024 janë në përputhje me vlerësimet e UN Women dhe UNODC.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, vlerësoi se në rajon është shënuar përparim në kuadrin ligjor, por vazhdojnë të mbeten sfida që lidhen me përkufizimet e ndryshme, të dhënat e fragmentuara dhe zbatimin jo të barabartë të ligjeve.
Ajo theksoi se parandalimi varet nga aftësia e institucioneve për t’i identifikuar në kohë rreziqet dhe për të reaguar në mënyrë të koordinuar.
Në konferencë u theksua gjithashtu se Maqedonia e Veriut vitet e fundit ka forcuar qasjen ligjore ndaj dhunës me bazë gjinore. Ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në vitin 2023 e përfshinë femicidin në kuadrin e vrasjeve të grave dhe vajzave të lidhura me dhunën me bazë gjinore, ndërsa u kriminalizuan edhe forma të tjera të dhunës, përfshirë përndjekjen, ngacmimin seksual dhe dhunën ekonomike e psikologjike.
Megjithatë, të dhënat ndërkombëtare tregojnë se identifikimi dhe matja e saktë e femicideve mbeten sfidë, për shkak të mungesës së të dhënave të plota dhe përkufizimeve jo gjithmonë të njëjta ndërmjet vendeve. Për këtë arsye, UN Women dhe UNODC kanë zhvilluar një kornizë statistikore të përbashkët për matjen e vrasjeve të grave dhe vajzave të lidhura me gjininë.
Konferenca rajonale synon të trajtojë sfidat në parandalimin e femicideve, identifikimin e hershëm të rasteve të dhunës dhe forcimin e bashkëpunimit institucional në Evropën Juglindore.//Zhurnal.mk
