Tirana do të mirëpresë takimin vjetor të BERZH-it

Nga D V
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 09 qershor, Zhurnal.mk – Kryeqyteti shqiptar, Tirana, është përzgjedhur për të mirëpritur takimin vjetor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vitin 2028, një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare që pritet të sjellë në Shqipëri drejtues institucionesh financiare, përfaqësues qeverish, investitorë dhe partnerë zhvillimi nga dhjetëra vende.

Lajmi u bë i ditur nga zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, në përmbyllje të takimit vjetor të BERZH-it të zhvilluar në Riga.

Sipas Yzeirajt, organizimi i këtij takimi në Tiranë përbën një vlerësim të rëndësishëm për rolin dhe progresin e Shqipërisë në rajon, si dhe për partneritetin e qëndrueshëm me BERZH-in, një nga institucionet financiare më aktive në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

BERZH ka investuar afro 2,5 miliardë euro në Shqipëri që prej vitit 1991, duke financuar projekte strategjike në infrastrukturë, energji, sektorin financiar dhe zhvillimin e biznesit privat.

Një nga prioritetet kryesore të bashkëpunimit mbetet modernizimi i rrjetit hekurudhor shqiptar, përmes investimeve të BERZH-it dhe institucioneve të tjera financiare evropiane, në funksion të rritjes së lidhshmërisë dhe integrimit të vendit me rrjetet evropiane të transportit.

Po ashtu, më shumë se gjysma e portofolit të BERZH-it në Shqipëri është e orientuar drejt sektorit privat, duke mbështetur sipërmarrjet vendase për të rritur konkurrueshmërinë dhe për t’u përshtatur me standardet e tregut të Bashkimi Evropian.

Mikpritja e takimit vjetor të BERZH-it në vitin 2028 konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të Tiranës dhe Shqipërisë, si destinacion investimesh, biznesi dhe zhvillimi ekonomik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër