Uzurpatorët e “Kuklicës” do të largohen nga lokaliteti

Nga Xh M
840 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kratovë, 9 qershor Zhurnal.mk – Vullnetarisht ose me forcë, uzurpatorët do të duhet ta lëshojnë Kuklicën. Gjykata ka nxjerrë një masë të përkohshme me të cilën Stojna Dimitrovska But dhe babai i saj, Millosh Dimitrovski, detyrohen të largohen nga lokaliteti “Kukullat e Gurta” dhe ta dorëzojnë atë nën administrimin e institucioneve kompetente. Nëse refuzojnë, policia do t’i largojë me forcë nga hapësira e lokalitetit.

Kryetari i Komunës së Kratovës, Todorçe Nikollovski, deklaron se pas viteve të tëra procedurash gjyqësore dhe kallëzimesh penale, për herë të parë ekziston një vendim konkret gjyqësor që pritet t’i japë fund këtij kontesti.

Rasti i Kuklicës u bë publik pasi një banor i Kratovës denoncoi se në lokalitet u kërkoheshin para vizitorëve dhe turistëve në mënyrë të paligjshme për hyrje, ndërsa ata që refuzonin të paguanin përballeshin me kërcënime dhe ndaj tyre lëshoheshin qen.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se kundër Stojna Dimitrovskës, babait të saj Millosh dhe shoqatës së tyre është ngritur aktakuzë për uzurpim të pronës së paluajtshme. Ndërkaq, kundër Stojnës është lëshuar edhe urdhër ndëshkues për shkak të kërcënimeve ndaj turistëve.

Në ndërkohë, Komuna e Kratovës ka siguruar një aktgjykim të shkallës së parë, me të cilin të paditurit obligohen ta dorëzojnë lokalitetin, por lënda ende ndodhet në procedurë pranë Gjykatës së Apelit.

Kryetari i komunës thekson se bëhet fjalë për persona që më herët kanë qenë të përfshirë në një projekt të lidhur me lokalitetin, i financuar me mjete evropiane.

Dyshime shtesë kanë ngritur edhe raportet financiare të shoqatës, sipas të cilave, megjithëse për vite me radhë ka arkëtuar para nga biletat e hyrjes së vizitorëve, ajo ka deklaruar fitim prej vetëm 1.000 denarësh.

Nëse me masën më të fundit gjyqësore do të marrë fund saga shumëvjeçare rreth lokalitetit Kukullat e Gurta, do të varet nga zbatimi i vendimeve të gjykatës dhe veprimi i institucioneve kompetente.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër