Kurti takon kancelarin austriak në Vjenë, kërkon mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Nga Xh M
900 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Vjenë, 9 qershor Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim bilateral nga kancelari i Austrisë, Christian Stocker, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Vjenë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet 90-ta, në procesin e shtetndërtimit, në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe për kontributin në kuadër të KFOR-it.

“Teksa vlerësoi mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës të shprehur në Komitetin e Ministrave, në Kishinau në maj të vitit 2026, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se një nga prioritetet më të larta të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.

Kurti nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes nga Austria dhe rolit të saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Po ashtu, ai tha se mirëpret deklaratën e kancelarit Stocker se “Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor”.

“Pasi tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj të anëtarësimit, kryeministri në detyrë Kurti foli për rëndësinë që BE-ja të përgjigjet me dhënien e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e negociatave”, thuhet më tej në njoftim.

Gjatë takimit, Kurti dhe Stocker diskutuan edhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, me theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik e tregtar, investimet, roli i mërgatës, energjia dhe transformimi digjital.

Në takim u bisedua gjithashtu për sigurinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin rajonal.

Në fund, Kurti uroi Austrinë për zgjedhjen si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027-2028, ndërsa pranoi urime për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër