Stevço Jakimovski do të kërkojë shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg

Nga Xh M
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor Zhurnal.mk – Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, do të kërkojë shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg, pasi nga Gjykata Penale është njoftuar se më 2 korrik duhet të paraqitet në Burgun e Shkupit për të filluar vuajtjen e dënimit.

Lajmin e konfirmoi vetë Jakimovski për mediat, duke theksuar se ekzistojnë arsye të arsyeshme për shtyrje. Këtë e konfirmoi edhe avokati i tij, Viktor Cvetkovski, i cili tha se Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve parashikon mundësinë e shtyrjes së hyrjes në burg.

“Ekziston mundësi ligjore dhe ka arsye të arsyeshme shëndetësore. Po, sigurisht që do të kërkojmë shtyrje”, deklaroi avokati Cvetkovski.

Sipas ligjit, shtyrja e fillimit të vuajtjes së dënimit mund të miratohet në raste të caktuara, si trajtimi spitalor për sëmundje të rënda, probleme serioze familjare, përfundimi i detyrimeve të domosdoshme profesionale apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj.

Në rastet kur kërkesa bazohet në gjendjen shëndetësore, shtyrja mund të zgjasë deri në përfundimin e trajtimit, ndërsa i dënuari është i detyruar të paraqesë dëshmi për gjendjen e tij shëndetësore çdo 30 ditë.

Kërkesa për shtyrje duhet të dorëzohet brenda tre ditëve nga pranimi i aktit për paraqitje në burg.

Kujtojmë se së fundmi Gjykata e Apelit e bëri të formës së prerë dënimin prej një viti burg për Stevço Jakimovskin, lidhur me rastin e ndërtimit të objektit komunal në Karposh.

Megjithatë, ai nuk do ta vuajë të gjithë dënimin prej një viti, pasi në llogaritjen e tij përfshihen edhe pesë muajt e kaluar në paraburgim. Kështu, atij i mbeten edhe rreth shtatë muaj për t’i vuajtur në burgun e Shutkës.

Ndërkohë, Jakimovski ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë edhe në Gjykatën Supreme, ku do të kontestojë vendimin e formës së prerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër