Bexhet Musliu pyet Azir Aliun / Përse mungon gjuha shqipe në tabelën e “Departamentit të Institutit për Shëndet Publik”!

Nga R.ZH
2,120 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkruan, Bexhet Musliu, themelues i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 14 qershor – Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu siç duket e ka humbur “rrugën në oborr”. Ai çdo ditë e më shumë po fundoset në dështimet e tij të njëpasnjëshme.

Përderisa gjuha shqipe është bërë top-temë gjithandej, ministri Aliu pa u skuqur aspak duartroket dhe fotografohet me krenari para një tabele ku shkelet ligji. Ai pa e pasur aspak dert për gjuhën shqipe dhe shqiptarët që duhet t’i përfaqësojë, krenar me veten e tij se ka bërë një punë të madhe, promovoi një department të Institutit për Shëndet Publik vetëm në gjuhën maqedonase. E për fat të keq, në vend se ai të ishte i pari duke reaguar se përse kjo tabelë është vendosur në gjuhën maqedonase dhe është shkelur ligji për gjuhën shqipe, Aziri para kamerave pozicionohet kokëlartë, duartrokiste kinse se ka bërë diçka shumë-shumë të madhe.

Por nuk është vetëm kjo. Fatkeqësia e ministrit Aliu nuk është vetëm se nuk ka arritur të zgjidhë problemet e trashëguara. Fatkeqësia e tij më e madhe është se gjatë mandatit të tij janë shtuar shembujt që dëshmojnë mungesë menaxhimi, mungesë përgjegjësie dhe mungesë reagimi ndaj problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Po i numëroj një nga një.

Dështimi i parë: Rreth 50 punonjës të Klinikës për Sëmundjet e Fëmijëve punuan për gjashtë muaj pa paga dhe pa status të rregulluar pune. Në vend që ministri të gjente zgjidhje, ai u tha publikisht se pagat nuk mund të paguhen në mënyrë retroaktive sepse ligji nuk e lejon. Por qytetarët kanë të drejtë të pyesin: kush do t’ua kompensojë gjashtë muajt e jetës së këtyre familjeve pa të ardhura?

Dështimi i dytë: Kaosi në listat e pritjes vazhdon të mbetet një nga plagët më të mëdha të shëndetësisë. Pacientët vazhdojnë të presin me muaj, madje edhe me vite, për ndërhyrje dhe trajtime që shpesh janë jetike.

Dështimi i tretë: Vetë ministri pranoi se në listat e pritjes figuronin edhe persona që ndërkohë kishin ndërruar jetë. Vetëm ky fakt do të duhej të ndezte alarmin në çdo institucion normal, sepse tregon mungesë kontrolli dhe mosfunksionim serioz të sistemit.

Dështimi i katërt: Largimi masiv i mjekëve, infermierëve dhe personelit shëndetësor vazhdon. Në vend të masave konkrete për t’i mbajtur profesionistët në vend, shëndetësia vazhdon të humbasë kuadro të vlefshme.

Dështimi i pestë: Pacientët vazhdojnë të ankohen për vonesa, mungesë terminësh dhe shërbime që nuk përputhen me nevojat reale të qytetarëve. Premtimet për reforma mbeten kryesisht në nivel deklaratash.

Dështimi i gjashtë: Janë raportuar raste kur pacientët janë kthyer nga operacionet për shkak të analizave të dyshimta, ndërsa rezultatet e marra në institucione të tjera kanë treguar një pasqyrë krejtësisht tjetër. Këto raste kërkojnë përgjegjësi dhe hetim, jo heshtje.

Dështimi i shtatë: Problemet infrastrukturore në shumë institucione shëndetësore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Qytetarët përballen me kushte që nuk i përkasin një sistemi modern shëndetësor.

Dështimi i tetë: Në kohën kur gjuha shqipe është bërë temë e debatit publik, ministri Aliu zgjodhi të fotografohej para një tabele institucionale vetëm në gjuhën maqedonase. Në vend që të kërkonte respektimin e ligjit, ai promovoi një shembull që ngriti pikëpyetje serioze për qëndrimin e tij ndaj përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.

Dështimi i nëntë: Ministria nuk ka ofruar ende një vizion të qartë për zgjidhjen afatgjatë të problemeve strukturore të sistemit shëndetësor. Qytetarët dëgjojnë për probleme, por jo për afate konkrete të zgjidhjeve.

Dështimi i dhjetë: Në vend të përgjegjësisë politike, ministri vazhdon të arsyetohet me procedura burokratike dhe pengesa administrative. Por qytetarët nuk e kanë zgjedhur një ministër për t’u treguar pse nuk mund të bëhen gjërat; e kanë zgjedhur për t’i bërë ato.

Vetë Aliu pranoi para pak ditësh se “problemet nuk mund të zgjidhen brenda natës”. Kjo është e vërtetë. Askush nuk pret mrekulli. Por qytetarët kanë të drejtë të presin rezultate, përgjegjësi dhe vendosmëri.

Nuk mund t’u flasësh për procedura 50 familjeve që kanë mbetur pa paga. Nuk mund t’u flasësh për reforma familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre ndërsa emrat e tyre vazhdonin të figuronin në lista pritjeje. Nuk mund të pretendosh sukses kur vetë pranon se problemet kryesore vazhdojnë të mbeten të njëjtat.

Prandaj, para se të flasë për arritje, ministri Azir Aliu duhet t’u japë përgjigje qytetarëve për këto dështime. Sepse në politikë nuk mjafton të jesh i pranishëm në konferenca për shtyp dhe fotografi promovuese. Ajo që mbetet në fund është bilanci i punës. Dhe deri më tani, ai bilanc është shumë larg pritjeve që kishin qytetarët kur iu besua drejtimi i shëndetësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër