Zajkova kundër zgjedhjeve të reja: Ka shumicë të mjaftueshme për të qeverisur

Nga Xh M
1,252 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 qershor Zhurnal.mk – Kryetarja e Partisë Liberal-Demokratike (LDP), Monika Zajkova, ka deklaruar se është e papranueshme të flitet për zgjedhje të reja në kohën kur qytetarët po përballen me rritje të inflacionit, çmimeve dhe vështirësi ekonomike.

“Me vjen sinqerisht keq që vetëm LDP-ja flet për uljen e shpenzimeve joracionale në shtet. Duhet të flasim me fakte – a kemi rritje të inflacionit? Po. A kemi rritje të çmimeve të plehrave artificiale? Po, dhe kjo vërtetohet me raporte zyrtare. Në kushte kur gjendja ekonomike po përkeqësohet për shkak të krizave globale, është e papërshtatshme të flitet për shpenzime që paguhen drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarëve”, tha Zajkova.

Ajo vlerëson se është e pajustifikueshme të kërkohen zgjedhje të parakohshme kur shumica qeverisëse në Kuvend ka pothuajse dy të tretat e deputetëve dhe ka mundësi të plotë për të miratuar vendime dhe zgjidhje.

“Qytetarët duhet ta dinë se nëse paga apo pensioni nuk u mjafton deri në fund të muajit, ndërsa bankat vazhdojnë t’i ngarkojnë me tarifa, zgjedhjet e reja do të thonë shpenzime të reja nga xhepi i tyre dhe më pak para në buxhetin e shtetit”, theksoi ajo.

Sipas Zajkovës, qytetarët janë lodhur nga ciklet e shpeshta zgjedhore, të cilat nuk kanë sjellë ndryshime të prekshme, ndërsa shteti është varfëruar dhe institucionet janë bërë më pak funksionale.

“Duhet të marrë fund praktika që e kujtojmë nga koha e Nikola Gruevski, kur zgjedhjet organizoheshin çdo dy vjet, ndërsa në thelb nuk ndryshonte asgjë. Zgjedhjet nënkuptojnë shpenzim të burimeve shtetërore”, shtoi ajo.

Kryetarja e LDP-së theksoi se mandati katërvjeçar duhet të shfrytëzohet plotësisht për punë në interes të qytetarëve.

“Ne jemi këtu për të punuar në interes të qytetarëve. Prioritet duhet të jetë sigurimi i më shumë të ardhurave për familjet, pasi çdo ditë po bëhet më e vështirë blerja e produkteve bazë. Zgjedhjet organizohen mbi kurrizin e qytetarëve. Kur ekziston një shumicë e fortë parlamentare, nuk ka arsye që qytetarët të ngarkohen me kosto shtesë. Kjo do të thotë më pak para në buxhet dhe më pak mundësi për rritjen e pagave dhe pensioneve”, përfundoi Zajkova.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër