Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, sot në Kuvend, në debat për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Nga D. V.
1,248 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, sot do të marrë pjesë në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku do të debatohet për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një nga zgjidhjet më të rëndësishme sistemore për garantimin e barazisë në institucionet shtetërore.

Në periudhën e kaluar, përmes paraqitjeve të shumta publike, intervistave dhe takimeve me qytetarë, Sali ka shpalosur në detaje përmbajtjen e ligjit, duke theksuar se ai synon të sigurojë përfaqësim të drejtë të shqiptarëve dhe etniteteve të tjera në administratën publike, në përputhje me parimet kushtetuese dhe karakterin multietnik të shtetit.

Sipas tij, ligji do të ndalojë diskriminimin sistematik që për vite me radhë ka penguar zbatimin e plotë të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke vendosur mekanizma të qartë institucionalë për monitorim dhe zbatim.

Një nga risitë kryesore të ligjit është përcaktimi i përgjegjësisë për drejtuesit e institucioneve. Bekim Sali ka bërë të ditur se çdo udhëheqës institucioni që nuk do të zbatojë detyrimet e parashikuara me ligj do të përballet me pasoja konkrete, përfshirë masa disiplinore dhe shkarkim nga funksioni.

Pritet që gjatë debatit parlamentar, Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, të prezantojë edhe një herë argumentet kryesore në mbështetje të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt garantimit të barazisë, drejtësisë dhe funksionimit më efikas të institucioneve shtetërore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër