VLEN më 9 Maj u bë një subjekt, çka pas kësaj?

Nga R.ZH
882 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Në skenën politike shqiptare sot dominojnë dy forca kryesore BDI dhe VLEN, krahas partive më të vogla që janë në situata rikuperimi e ngritjeje. Kohëve të fundit, BDI ka ndezur motorët e ristrukturimit duke lëvizur degë më degë dhe duke u përgatitur hapur për zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë, VLEN si pjesë e qeverisë është e angazhuar në menaxhimin e institucioneve dhe projekteve shtetërore. Por pyetja është se ku ngeli procesi i ristrukturimit të subjektit të ri VLEN? shkruan Zhurnal.

Derisa BDI po ristrukturon degët, çfarë po bën VLEN-i?

Data 9 Maj u shpall ditë historike jo vetëm për eksponentët e VLEN-it, por edhe për kundërshtarët dhe intelektualët që e panë bashkimin si një moment të rëndësishëm për faktorizimin politik të shqiptarëve. Ky bashkim, i ardhur pas një periudhe fragmentimi u interpretua si hap i madh drejt konsolidimit.

Megjithatë, pas kongresit dinamika e brendshme e VLEN-it duket se nuk po vazhdon me të njëjtin ritëm. Përveç një takimi të funksionarëve në një hotel, nuk janë parë aktivitete të gjera me strukturat lokale. Kjo krijon përshtypjen se bashkimi ka ardhur më shumë “prej lart-poshtë”. Prandaj, është e udhës që VLEN të fillojë takimet me strukturat poshtë, për të ndërtuar legjitimitet dhe energji politike nga baza.

BDI nga opozita në takime të përjavshme

Në anën tjetër, BDI si subjekt opozitar ka filluar një fushatë të ristrukturimit të degëve. Pothuajse çdo javë qytetarët shohin takime të organizuara, ku rikthehet komunikimi me bazën dhe projektohet imazhi i një partie që po përgatitet seriozisht për zgjedhje. Ky ritëm i lartë i aktiviteteve e bën BDI-në të duket gjallë politikisht, pavarësisht se është jashtë pushtetit. Në këtë mënyrë, opozita po e shfrytëzon kohën për të rifituar terren dhe për të rikthyer besimin e strukturave.

VLEN në pushtet si në qeveri, por në terren do duhej të ishte si opozitë

VLEN, si parti e re dhe tashmë pjesë e qeverisë duhet të gjejë një mes të artë mes qeverisë dhe strukturës së saj partiake sikur të ishte në opozitë. Nëse mbetet vetëm në rolin institucional, rrezikon të humbasë kontaktin me bazën dhe të duket e shkëputur nga dinamika e terrenit.

Përkundrazi, një subjekt i ri ka nevojë për energji, për takime të shpeshta, për mobilizim të degëve dhe për krijimin e një identiteti të fortë. Vetëm kështu mund të ruajë momentumin e bashkimit të 9 Majit dhe të projektojë veten si alternativë e qëndrueshme afatgjate.

Kujtojmë që, në këtë fazë BDI po ristrukturon degët me ritëm opozitar, ndërsa VLEN po qeveris me ritëm institucional. Por politika nuk është vetëm qeverisje është edhe organizim, komunikim dhe mobilizim. Prandaj, sfida e VLEN-it është të veprojë njëkohësisht si parti në pushtet dhe si organizatë që ndërton terren, sepse vetëm kështu mund të ruajë faktorizimin e fituar. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër