Kuvendi miratoi njëzëri Kodin Etik për deputetët

Nga R.ZH
788 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot Kodin Etik për deputetët, një dokument që synon të avancojë standardet e sjelljes dhe përgjegjësisë së përfaqësuesve të zgjedhur në institucionin ligjvënës, transmeton Zhurnal.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se në seancën e 104-të është miratuar unanimisht Kodi i Sjelljes Etike i deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Në senacën 104-të të Kuvendit, unanimisht nga deputetët e pranishëm në sallë, u miratua Kodi i Sjelljes Etike i deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si propozues i këtij dokumenti, kam kënaqësinë e veçantë të theksoj se ky Kod është përgatitur përmes një procesi të gjatë, gjithëpërfshirës dhe konsensual, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe opozitën.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt një Kuvendi më transparent, më të përgjegjshëm dhe më dinjitoz, i cili vendos standarde më të larta për integritetin, mbrojtjen e interesit publik dhe sjelljen e deputetëve.

Shpreh falënderim të veçantë për gjithë deputetët e përfshirë, për finalizimin e këtij procesi dhe për dëshminë se dinjiteti i institucionit dhe i qytetarëve që përfaqësojmë duhet të qëndrojë mbi interesat e ngushta dhe mbi dallimet politike.

Gjithashtu, shpreh mirënjohje për partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Programin Zviceran për Mbështetje Parlamentare dhe Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), të cilët, përmes ekspertizës dhe përvojës së tyre, kontribuan në ndërtimin e dialogut ndërpartiak”, ka shkruar Gashi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër