Tiranë, 16 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi sot protestat e ditëve të fundit, duke theksuar se ato po kalojnë nga forma e një proteste paqësore në akte që po dëmtojnë interesin publik, imazhin e vendit dhe ekonominë shqiptare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se bllokimi i rrugëve kryesore dhe krijimi i kaosit në qarkullim po godasin drejtpërdrejt sektorin e turizmit, i cili përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare.
Ndër të tjera, Balla tha se Shqipëria po përjeton një periudhë të rëndësishme zhvillimi turistik dhe se çdo veprim që krijon pasiguri apo pengon lëvizjen e qytetarëve dhe vizitorëve sjell pasoja negative për bizneset dhe ekonominë.
“Protesta po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe po godet turizmin dhe ekonominë tonë kombëtare. Nga një protestë paqësore, ajo po degradon në bllokim rrugësh e trafiku”, është shprehur Balla.
Edhe më herët, Balla ka theksuar rëndësinë e turizmit si motor i zhvillimit ekonomik të vendit, duke argumentuar se çdo akt që cenon këtë sektor dëmton të ardhurat, punësimin dhe perspektivën e zhvillimit të Shqipërisë.
