IFC: RMV duhet të investojë në kapacitete të reja energjetike

Nga D V
1,412 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Nga IFC u bë thirrje për përfshirje më të madhe të kapitalit privat dhe partneriteteve publiko-private për financimin e tranzicionit energjetik. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, kërkoi mbështetje më të madhe për kompanitë vendore, ndërsa ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, theksoi se kuadri i ri ligjor duhet të sigurojë investime më të shpejta dhe integrim më të madh me tregun energjetik evropian. Sipas Bankës Botërore, rritja e konsumit të energjisë elektrike do të kërkojë investime të konsiderueshme në burime të rinovueshme dhe infrastrukturë moderne energjetike.

Konsumi i energjisë elektrike në Maqedoni deri në vitin 2040 pritet të rritet për 26% si pasojë e përdorimit të teknologjive të reja, sipas vlerësimeve të Grupit të Bankës Botërore, prezantuara në “Ditën e parë të IFC” në Shkup. Nga IFC u theksua se për të përmbushur kërkesën e pritshme dhe për të përmirësuar sigurinë energjetike të vendit, do të jenë të domosdoshme investime në energji diellore, të erës dhe infrastrukturë moderne, ku rol kyç duhet të ketë kapitali privat.

“E shohim energjetikën si veprimtari strategjike. Maqedonia ka potencial të konsiderueshëm për zgjerimin e prodhimit vendor të energjisë së rinovueshme dhe forcimin e pavarësisë energjetike. Investimet në energji të erës, diellore dhe infrastrukturë moderne do të jenë thelbësore për përmbushjen e kërkesës së ardhshme dhe përmirësimin e sigurisë energjetike. Duhet të shfrytëzohet kapitali privat. Tërheqja e investitorëve privatë do të jetë veçanërisht e rëndësishme”, deklaroi Vibke Shlomer, drejtoreshë e departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin e Jugut në IFC.

Shlomer theksoi se përveç investimeve në burime të rinovueshme, shteti duhet të orientohet më shumë drejt modeleve të partneriteteve publiko-private për realizimin e projekteve zhvillimore.

Në panelin e tranzicionit energjetik, ministrja Bozhinovska nënvizoi se reformat synojnë krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, duke e harmonizuar ligjin e ri për energjetikën me Paketën e Energjisë së Pastër të BE-së.

Ndër projektet e mbështetura nga IFC është investimi i “Alcazar Energy” për ndërtimin e një parku të erës në Shtip, i cili pritet të furnizojë mbi 100.000 amvisëri dhe të ulë emetimet e CO₂ me rreth 690.000 tonë në vit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër