VLEN u bë një/ Shqiptarët përfaqësohen me përgjegjësi: Për 24 muaj bëmë më shumë punë sesa ishte bërë për 24 vjet

Nga Xh M
1,463 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 16 qershor Zhurnal.mk – Në Kuvendin themelues të VLEN-it, të mbajtur në Tetovë, drejtuesit e subjektit politik prezantuan arritjet e deritanishme në qeverisje, procesin e konsolidimit të partisë dhe vizionin për të ardhmen, duke theksuar se bashkimi i pesë forcave politike në një subjekt të vetëm përfaqëson një kapitull të ri në skenën politike shqiptare.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në fjalën e tij u ndal te projektet kryesore që po realizohen gjatë mandatit dyvjeçar të VLEN-it në qeveri, duke theksuar se shqiptarët po marrin pjesën që u takon nga investimet shtetërore.

Ai tha se mbi 40 milionë euro po investohen në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një investim në dije, në rininë shqiptare dhe në të ardhmen e brezave që vijnë.

“Rreth 20 milionë euro po investohen në fazën e fundit të Sheshit ‘Skënderbeu’, duke përmbyllur një projekt me rëndësi të veçantë për shqiptarët në kryeqytet. 74 milionë euro janë planifikuar për Spitalin e Tetovës, sepse qytetarët tanë meritojnë shërbime shëndetësore dinjitoze dhe moderne. Mbi 200 milionë euro po investohen në autostradën Shkup–Bllacë, korridorin që lidh Shkupin me Prishtinën dhe që hap perspektiva të reja ekonomike për të gjithë rajonin”, tha Mexhiti.

Sipas tij, përmes projekteve të ndryshme zhvillimore po realizohen rreth 100 milionë euro investime në komunat shqiptare, në rrugë lokale, shkolla, çerdhe, ujësjellësa dhe infrastrukturë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Ai nënvizoi se edhe Korridori VIII, si një nga projektet më të mëdha strategjike të shtetit, kalon nëpër zona ku jetojnë mijëra familje shqiptare, duke sjellë zhvillim dhe mundësi të reja ekonomike për komunat shqiptare.

“Këto janë faktet se kur shqiptarët përfaqësohen me përgjegjësi, ata marrin hisen që u takon nga buxheti i shtetit. Sepse përfaqësimi i vërtetë nuk matet me numrin e funksioneve. Përfaqësimi i vërtetë matet me universitetet që ndërtohen, me spitalet që modernizohen, me rrugët që lidhin qytetet tona dhe me investimet që mbërrijnë në komunat tona. Dhe këtu shihet rëndësia e decentralizimit. Kur komunat kanë më shumë mundësi për të vendosur mbi prioritetet e tyre, zhvillimi bëhet më i drejtë, më i shpejtë dhe më afër qytetarëve”, theksoi Mexhiti.

Duke vazhduar në të njëjtën linjë, bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Bilall Kasami, vlerësoi se bashkimi i pesë subjekteve politike në një të vetëm është një hap historik drejt konsolidimit të skenës politike shqiptare dhe një mundësi për përfaqësim më të mirë të qytetarëve.

Kasami tha se, ndonëse VLEN ka qenë në proces konsolidimi, në vetëm dy vjet qeverisje ka arritur të realizojë projekte dhe të zgjidhë çështje që sipas tij kishin mbetur të pazgjidhura për dekada.

“Për 24 muaj, arritëm të zgjidhim probleme, të ndërtojmë e të zhvillojmë politika më shumë sesa kishin bërë ata para nesh për 24 vjet. Edhe pse ishte ndër pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, ata për 24 vjet nuk sollën ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ne po e bëjmë për 24 muaj”, deklaroi ai.

Në fjalimin e tij, Kasami përmendi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, mundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave të medresesë, avancimin e punimeve për Korridorin 8 dhe autostradën Shkup-Bllacë, funksionalizimin e sistemit One Stop Shop me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe investimet në Spitalin e Tetovës, Spitalin e Kërçovës dhe kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”.

Ai vlerësoi gjithashtu investimet në Tetovë dhe angazhimin për largimin e lojërave të fatit nga lagjet, duke theksuar se VLEN ka zgjedhur punën konkrete në vend të retorikës politike.

“Faktet janë të qarta dhe kokëforta. Për 24 vjet shqiptarët i qeverisën me demagogji të zbrazët, me propagandë e gënjeshtra. Me ardhjen e VLEN-it, shqiptarët kanë hyrë në epokën e punës, ndërtimit dhe zhvillimit. Atyre ua kemi lënë zhurmën dhe fjalët boshe, ne iu kemi përveshur punës dhe projekteve”, u shpreh Kasami.

Në fund të fjalimit të tij, ai u bëri thirrje aktivistëve, rinisë dhe funksionarëve të VLEN-it që të prezantojnë para qytetarëve punën dhe rezultatet e arritura, duke theksuar se faktet dhe projektet konkrete janë përgjigjja më e mirë ndaj propagandës politike.

Ndërkaq, nënkryetarja e partisë, Mimoza Musa, rikujtoi rrugëtimin e koalicionit, sfidat e tejkaluara dhe procesin që çoi në shndërrimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm politik.

Duke folur për fillimet e këtij projekti politik, Musa tha se rruga ka qenë e mbushur me sfida, por se ato nuk e kanë ndalur përkushtimin për të çuar përpara vizionin e VLEN-it.

“Kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë, na punuan pas shpine, na tradhtuan, por nuk u dorëzuam. U ngjitëm lart e më lart dhe këtë e dëshmon sot puna jonë gjatë kësaj qeverisjeje dyvjeçare. Në afat rekord mblodhëm 1300 nënshkrimet për themelimin e partisë, duke iu përgjigjur qartë nevojave të votuesit dhe duke reflektuar peshë politike”, deklaroi ajo.

Musa rikujtoi se në zgjedhjet parlamentare VLEN fitoi 107 mijë vota shqiptare, ndërsa në zgjedhjet lokale siguroi drejtimin e 10 komunave, duke e cilësuar këtë si dëshmi të besimit të qytetarëve ndaj projektit politik.

Ajo veçoi edhe Kongresin e parë të mbajtur më 9 maj, ku pesë forca politike u bashkuan në një subjekt të vetëm.

“VLEN-i u bë NJË, duke bashkuar energjitë, potencialin dhe vullnetin politik të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët. Sepse në një kohë kur shumëkush investon në ndarje, ne zgjodhëm bashkimin. Sepse në një kohë kur politika shpesh matet me interesa të ngushta, ne zgjodhëm interesin qytetar”, tha Musa.

Në fjalimin e saj, ajo u ndal edhe te puna e deritanishme në qeverisje, duke përmendur ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, zgjidhjen e çështjes së Provimit të Jurisprudencës, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore si autostrada Shkup-Bllacë, Korridori 8, kampusi i UNT-së, Spitali i Kërçovës dhe Spitali i Tetovës, krahas investimeve në infrastrukturën bazë në komuna.

Në përfundim, Musa theksoi se qytetarët i kanë besuar VLEN-it dhe se ky besim do të vazhdojë të kthehet me punë, përgjegjësi dhe përkushtim, duke nënvizuar se bashkimi i forcave politike shqiptare në kuadër të VLEN-it synon të garantojë përfaqësim më të fuqishëm dhe rezultate konkrete për qytetarët në të ardhmen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër