SHBA-ja njofton mbi 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për agjencitë e OKB-së

Nga D. V.
474 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 17 qershor, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për agjencitë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF dhe Programin Botëror të Ushqimit (WFP).

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), fondet do të përdoren për të mbështetur ndihmën jetike, në më shumë se 40 vende të botës.

Nga shuma totale, mbi 800 milionë dollarë do t’i akordohen WFP-së, ndërsa UNICEF-i do të përfitojë më shumë se 218 milionë dollarë.

Njoftimi vjen një muaj, pasi Uashingtoni deklaroi se do t’i siguronte 1,8 miliardë dollarë Kombeve të Bashkuara.

Në dhjetor, administrata e presidentit Donald Trump shpalli një paketë tjetër financimi prej 2 miliardë dollarësh.

Përpara rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, kontributet financiare amerikane ndaj OKB-së, kishin qenë në disa raste dukshëm më të larta.

Megjithatë, SHBA-ja vazhdon t’i detyrohet OKB-së miliarda dollarë në kuadër të kontributeve të anëtarësimit.

Organizata po përballet me vështirësi të mëdha financiare dhe ka qenë shpesh objekt i kritikave të ashpra nga Trump.

Në fillim të mandatit të tij të dytë, presidenti amerikan vuri në pikëpyetje efektivitetin e ndihmës humanitare të SHBA-së dhe urdhëroi mbylljen e një sërë programesh.

Gjatë administratës Trump, ekonomia më e madhe në botë është tërhequr gjithashtu nga disa organizata të OKB-së dhe ka dalë nga marrëveshje ndërkombëtare, të mbështetura nga Kombet e Bashkuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër