Koçiu: Reforma në drejtësi dhe vetingu, gur themeli në rrugën europiane të Shqipërisë

Nga D. V.
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministjra Albana Koçiu mori pjesë sot në në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku theksoi se “reforma në drejtësi dhe vetingu kanë qenë gur themeli në rrugën europiane të Shqipërisë”.

Në fjalën e saj Koçiu tha se “ato dëshmuan se vend ynë është në gjendje të ndërmarrë reforma të vështira, të përballet me interesa të rrënjosura dhe të vendosi interesin publik mbi çdo interes tjetër”.

“Biem dakord të gjithë që sot nuk përfundon thjesht mandati i një institucioni të përkohshëm kushtetues. Sot mbyllet një kapitull i jashtëzakonshëm i shtetformimit shqiptar dhe përmbyllet një nga proceset më të thella, më të vështira dhe më transformuese që ka ndërmarrë ndonjëherë shteti ynë. Pothuajse një dekadë me parë Shqipëria mori një vendim që shumëkush e konsideronte të pamundur që vetë sistemi i drejtësisë t’i nënshtrohej një rivlerësimi të paprecedentë në historinë tonë kushtetuese. Nuk ishte absolutisht një reformë kozmetike. Ishte vendimi për ta parë të vërtetën në sy dhe për të pranuar se pa një drejtësi të besueshme nuk mund të ketë shtet të fortë demokraci funksionale dhe të ardhme europiane. Pak vende kanë ndërmarrë një proces kaq të thellë dhe kanë marrë vendosmërinë për ta çuar atë deri në fund”, nënvizoi Koçiu.

Zv/kryeministrja Koçiu u shpreh se “e zgjodhëm këtë rrugë jo për të ndëshkuar njerëz, por për të rindërtuar besimin. Jo për të zëvendësuar një emër me një tjetër, por për të ndryshuar standardin me të cilin ushtrohet përgjegjësia në drejtësi për të vendosur një parim të thjeshtë dhe të panegociueshëm. Detyra publike nuk është privilegj, toga nuk është mburojë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin”.

“Mbi 800 prokurorë gjyqtarë dhe ndihmës këshilltarë ligjorë i janë nënshtruar kontrollit të pasurisë, integritetit dhe aftësisë profesionale. Çdo dosje përfaqësonte një përgjegjësi të madhe çdo vendim prekte një karrierë individuale, por edhe besimin e qytetarëve tek i gjithë sistemi”, tha Koçiu.

Më tej Koçiu u shpreh se sot sistemi i drejtësisë nuk është më ai 2016.

“Shqipëria ka një arkitekturë të re kushtetuese, institucione të reja të qeverisjes së gjyqësorit,  prokurorisë mekanizma më të fortë  dhe struktura të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, nënvizoi numri dy i qeverisë.

“Mbi të gjitha sot ekziston një pritshmëri e re publike që drejtësia të veprojë pa parë emrin, funksionin, lidhjen apo pushtetin e  askujt. Në emër të qeverisë shqiptare shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që e mbajtën mbi supe këtë proces, për anëtarët dhe administratat e komisionit të pavarurit të kualifikimit, institucioneve të komisionerëve publikë dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe përfaqësuesit e tyre, të cilët morën përgjegjësinë e komisionerëve publikë në fazën përmbyllëse. Ju keni punuar nën një vëmendje të jashtëzakonshme publike nën presion të vazhdueshëm dhe përballë çështjeve të ndërlikuara. Puna juaj nuk ka qenë vetëm juridike ajo ka qenë një përgjegjësi historike ndaj shtetit dhe qytetarëve”, theksoi Koçiu.

Zv/kryeministrja Koçiu tha se “vetingu ishte një instrument, nuk ishte qëllim në vetveten, qëllimi ishte dhe mbetet një drejtësi e pavarur, profesionale, e paanshme e përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarit”.

Por, vijoi ajo, tani nis në fakt prova më e rëndësishme nëse sistemi do të arrijë ta ruajë vetë standardin që procesi i rivlerësimit krijoi.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Partë i Policisë, SPAK, Gjykatat, prokuroritë dhe të gjithë institucionet e sistemit të drejtësisë duhet të garantojnë që integriteti, profesionalizmi dhe llogaridhënia të mos varen më nga mekanizma të përkohshëm, por të jenë mënyra e zakonshme e funksionimit të drejtësisë. Pavarësia e drejtësisë nuk është privilegj i institucioneve, është garanci për qytetarin dhe pavarësi nuk do të thotë mes, llogaridhënie, përkundrazi kërkon më shumë përgjegjësi ndaj Kushtetutës, ligjit dhe publikut”, tha Koçiu.

Nga ana tjetër, shtoi Koçiu, detyra e politikës dhe e qeverisë është e qartë; të sigurojnë kuadrin ligjor, burimet dhe kushtet e nevojshme të respektojnë pavarësinë e drejtësisë dhe të mos diktojnë kurrë vendimmarrjen e saj.

“Sot përfundon mandati i një institucioni të përkohshëm dhe kjo ishte pikërisht ideja e Kushtetutës që një ditë ky mekanizëm të mos ishte më i nevojshëm, por standardi që ai vendosi duhet të mbetet sepse besimi i publikut nuk ka mandat. Ai fitohet çdo ditë me vendime të drejta, të arsyetuara me integritet me profesionalizëm me pavarësi me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete për qytetarët”, theksoi Koçiu.

Zv/kryeministrja Koçiu tha se “vetingu i dha drejtësisë shqiptare një pikënisje të re, institucionet e përhershme duhet ta kthejnë këtë standard në një kulturë të pakthyeshme”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër