SHBA-ja rrit presionin ndaj aleatëve të NATO-s për të marrë më shumë përgjegjësi ushtarake

Nga D V
863 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 18 qershor, Zhurnal.mk – Aleatët evropianë të NATO-s po nxitojnë të kompensojnë shkurtimet e njoftuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për disa kapacitete ajrore dhe detare, që u vihen në dispozicion në rast konflikti.

“Ne mund të marrim përsipër atë që duhet kompensuar, por jo gjithçka menjëherë”, tha sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

“Koordinimi i ngushtë mes aleatëve, përfshirë SHBA-në, është thelbësor, për të shmangur boshllëqe të rrezikshme kapacitetesh në Evropë, përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, në Bruksel.

Sipas Pistorius, vendimi i Uashingtonit për të reduktuar praninë në Evropë ishte i pritshëm, pasi SHBA-ja, synon të rrisë përqëndrimin e më shumë burimeve në Indo-Paqësor.

“Që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “do të bënin më pak” në Evropë, për t’u angazhuar më shumë në Indo-Paqësor, kjo ishte e parashikueshme”, tha ai.

Ministri gjerman shtoi se kapacitetet për goditje precize në distancë, mbeten një nga fushat që kërkojnë më shumë kohë për t’u zëvendësuar.

Në maj, Uashingtoni njoftoi se do të reduktojë kontributin në Modelin e Forcave të NATO-s, si pjesë e një strategjie për të rritur shpenzimet evropiane të mbrojtjes, dhe për të ulur varësinë e kontinentit nga SHBA-ja.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth deklaroi se, ky është një hap drejt rritjes së përgjegjësisë evropiane.

“Mendoj se është e rëndësishme që miqtë të jenë të sinqertë me miqtë dhe të sigurohen që ata të marrin më shumë përgjegjësi”, tha ai, duke shtuar se përpjekjet për të zëvendësuar kapacitetet amerikane janë “një fillim i mirë”.

Pistorius theksoi se ende nuk është marrë vendimi, se cilat vende aleate do të marrin përsipër rolet, dhe kapacitetet që SHBA-ja po redukton në Evropë.

Ndërkohë, disa aleatë po i mbajnë ofertat e tyre konfidenciale, ndërsa Belgjika ka premtuar më shumë avionë luftarakë F-16 dhe dronë vëzhgimi.

Hegseth njoftoi gjithashtu një rishikim të pranisë së trupave amerikane në Evropë, për të vlerësuar pozicionimin dhe bazat ushtarake të SHBA-së në kontinent.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u përpoq të zbuste shqetësimet se, këto ndryshime mund të dëmtojnë aftësitë mbrojtëse të aleancës.

“Ne jemi në një situatë të mirë. Evropianët po e plotësojnë boshllëkun”, tha ai, duke shtuar se në rast lufte, të gjithë aleatët – përfshirë SHBA-në – do të angazhohen maksimalisht.

Rutte theksoi gjithashtu se mburoja bërthamore e NATO-s mbetet e paprekur.

Sipas deklaratës së Grupit të Planifikimit Bërthamor të NATO-s, aleanca do të vazhdojë modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të saj bërthamore, duke ruajtur një pozicion të sigurt, efektiv dhe të besueshëm për të parandaluar agresionin dhe për të ruajtur paqen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër