Maqedonia e Veriut i shtrëngon kriteret për “pasaportat e arta” për investitorët e huaj

Nga D. V.
924 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut do të ndryshojë politikën për dhënien e “pasaportave të arta” për investitorët e huaj, por pa e hequr plotësisht mundësinë e marrjes së shtetësisë për arsye ekonomike. Shteti propozon ndryshimin e rregullores, me të cilën deri tani ishte përcaktuar një shumë konkrete investimi për të marrë pasaportë, shkruan DW, transmeton Zhurnal.

Ndryshimet vijnë pas rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe me qëllim parandalimin e abuzimeve dhe rreziqeve të sigurisë.

Rreziku i sigurisë dhe rekomandimet e Komisionit Evropian
Sipas projektligjit, i publikuar në ENER, arsyeja kryesore për ndryshimet e përgatitura nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është Raporti i Komisionit Evropian, ku thuhet se dhënia e shtetësive ekonomike paraqet rrezik serioz të sigurisë dhe migracionit.

Komisioni rekomandon që shtetet të përmbahen nga dhënia e shtetësisë mbi bazën e pragut minimal të investimit. Programet e tilla, të njohura si “pasaporta të arta”, janë vlerësuar si të papajtueshme me vlerat evropiane, veçanërisht pas vendimit kundër Maltës më 29 prill 2025.

Nga MPB për DW thonë se qëllimi kryesor i ndryshimeve ligjore është saktësimi i dispozitave të Ligjit për shtetësi, me ç’rast do të mundësohet zbatimi më efikas në praktikë.

“Bazuar në raportin dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, dhënia e shtetësisë për të huajt për arsye ekonomike mund të paraqesë rrezik migracioni dhe sigurie, veçanërisht për shkak të kritereve të ndryshme që zbatohen”, thonë nga MPB.

Synimi është që përmes një kornize më të qartë normative të eliminohen abuzimet e mundshme, të futet kontroll më i madh dhe të sigurohet përputhshmëri e plotë me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Çfarë ndryshon për investitorët e huaj?
Me ndryshimet ligjore hiqen shumat fikse monetare për marrjen e shtetësisë. Modeli i ri parashikon mendim nga institucionet kompetente: çdo rast do të shqyrtohet individualisht, me vlerësim nëse ekziston interes i veçantë shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv apo tjetër kombëtar për marrjen e shtetësisë, dhe investimi nuk do ta garantojë më automatikisht këtë të drejtë.

Paralelisht, shteti fut lehtësime për diasporën e vet. MPB propozon që afati për ri-marrjen e shtetësisë të shkurtohet nga tre vite në tre muaj. Masa është pjesë e strategjisë për tërheqjen e kuadrove dhe forcimin e ekonomisë.

Si funksiononin “pasaportat e arta”?
Praktika për dhënien e “pasaportave të arta” në Maqedoninë e Veriut nuk është e re dhe ka funksionuar prej vitesh. Kjo mundësi është e rregulluar me nenin 11 të Ligjit për shtetësi, i cili parashikon që një i huaj mbi 18 vjeç mund të fitojë shtetësinë me natyralizim nëse kjo paraqet interes të veçantë shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv apo tjetër kombëtar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 370 shtetas të huaj gjatë viteve të fundit kanë marrë pasaportë VIP si qytetarë të merituar mbi baza të ndryshme sipas nenit 11 të Ligjit për shtetësi.

Politika e “pasaportave të arta” shpesh është kritikuar për shkak të abuzimeve të mundshme. Ndër rastet më të njohura është biznesmeni indian Subrata Roy dhe djemtë e tij, të cilët morën shtetësinë maqedonase në vitin 2013, por investimet e paralajmëruara nuk u realizuan kurrë.

Gjithashtu, rasti me biznesmenin ukrainas Oleksandr Onishchenko, i cili më vonë mbeti pa shtetësi, hapi pyetje për kontrollet e sigurisë. Onishchenko mbeti pa pasaportën maqedonase pasi doli në publik se që nga viti 2016 në Ukrainë kërkohej me fletarrest për dëmtim të buxhetit të shtetit, si dhe se gjendej në listën e zezë të SHBA-së.

Sipas nenit 14 të Ligjit për shtetësi, shtetësia mund të anulohet nëse konstatohet se “i huaji gjatë paraqitjes së kërkesës ka dhënë të dhëna të pavërteta ose jo të sakta, respektivisht është përdorur me dokumente të rreme”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër