GJKKO dënon me 6 vite burg Pëllumb Gjokën dhe me 5 vite Ardit Hasanbegaj

Nga D. V.
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi sot me 6 vite burg Pëllumb Gjokën dhe me 5 vite burg Ardit Hasanbegaj.

Gjoka u deklarua fajtor për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit K.M, D.D dhe I.L, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe u dënua me 15 vjet burg.

Po ashtu ai u deklarua fajtor për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”,dhe u dënua me 4 vjet burg.

Gjoka u dënua me 3 vite burg edhe për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”.

Në bashkim të dënimeve të mësipërme ai u dënua përfundimisht me 9 vjet burg, ndërsa do i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 vjet burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Pëllumb Gjoka fillon nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, 27 korrik 2023 pranë një burgu të sigurisë së lartë.

Po ashtu GJKKO dënoi Ardit Hasanbegaj për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve I.L dhe D.D, kryer në bashkëpunim të posaçëm, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal me 7 vjet burgim.

Hasanbegaj u deklarua fajtor edhe për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal”, dhe u dënua me 2 vite burg.

Në bashkim të dënimeve Hasanbegaj u dënua përfundimisht me 7 vjet e 6 muaj burg, ndërsa pas uljes me 1/3 të dënimit, u dënua përfundimisht me 5 vjet burg.

Vuajtja e dënimit për Hasanbegaj fillon  nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, 27 korrik 2023, në një burg të sigurisë së lartë.

Në zbatim të Kodit Penal, atij i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat 5  vjeçar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër