Gjyqi për Veliajn, shtohen paditësit kundër emërimit si prokuror të Ols Dados: Shoqata mbështet kryebashkiakun e Tiranës

Nga D. V.
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Një zhvillim i ri është regjistruar në procesin gjyqësor që lidhet me ligjshmërinë e emërimit të prokurorit të SPAK, Ols Dado.

Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës me kërkesë për t’u pranuar si ndërhyrëse në procesin e nisur nga Erion Veliaj, ku kërkohet shpallja e pavlefshmërisë së emërimit të prokurorit Dado.

Në kërkesën e dorëzuar, e shqyrtuar nga gjyqtari Hazbi Balliu, shoqata argumenton: “Çështja nuk ka vetëm karakter individual, por prek drejtpërdrejt integritetin e sistemit të drejtësisë dhe mënyrën e ushtrimit të funksioneve të prokurorisë në Shqipëri”.

Sipas saj, nëse do të provohej se emërimi i Ols Dados është kryer në kundërshtim me ligjin, atëherë pasojat nuk do të kufizoheshin vetëm te statusi i tij personal, por mund të preknin edhe vlefshmërinë e procedimeve ku ai ka marrë pjesë si prokuror.

Shoqata e lidh interesin e saj edhe me rolin e prokurorit në hetime të rëndësishme, përfshirë dosjen e “21 Janarit”, një nga ngjarjet më të diskutuara në historinë e drejtësisë shqiptare, për të cilën edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar problematika në efektivitetin e hetimeve.

Në kërkesë theksohet se çdo dyshim mbi ligjshmërinë e statusit të një prokurori që ka trajtuar çështje me rëndësi të tillë publike merr peshë të veçantë institucionale.

Në përfundim, shoqata kërkon që gjykata të pranojë pjesëmarrjen e saj në proces, duke argumentuar se mbrojtja e transparencës dhe interesit publik justifikon përfshirjen në një gjykim që mund të krijojë precedent në kontrollin gjyqësor të emërimeve në sistemin e drejtësisë.

Kliko këtu për dokumentin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër