Tabanoc, 20 qershor Zhurnal.mk – Mbi 50 shoferë kamionësh po përballen me pritje të gjata dhe pasiguri në pikën kufitare të Tabanocit, pasi sipas ankesës së dërguar në redaksinë e Zhurnalit, në doganë tash e rreth dy orë mungon energjia elektrike, duke bllokuar procedurat dhe duke krijuar tollovi në kufi.
Sipas denoncimit, shoferët ndodhen të bllokuar në kufi pa asnjë sqarim të qartë se kur do të rikthehet funksionimi normal i doganës.
Në mesazhin e dërguar për redaksinë, ata shprehen të revoltuar me gjendjen dhe kërkojnë reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
“Jemi shoferë kamioni në kufi në Tabanoc, kemi dy orë dhe nuk ka rrymë te dogana… jemi mbi 50 veta dhe po presim”, thuhet në ankesën e dërguar në adresë të Zhurnalit.
Kjo situatë ka shkaktuar revoltë te shoferët, të cilët përveç humbjes së kohës, përballen edhe me pasoja në transportin dhe dorëzimin e mallrave.
Ata kërkojnë nga autoritetet doganore dhe institucionet kompetente që të dalin me sqarim publik dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për zhbllokimin e situatës.
