Shkup, 20 qershor Zhurnal.mk – Xhezair Shaqiri – Komandant Hoxha ka ndarë një rrëfim të detajuar për një nga momentet më të ndjeshme të luftës së vitit 2001, duke kujtuar vendimin e shtabit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) për hyrjen e njësive në Haraçinë, si pjesë e strategjisë për ta afruar konfliktin pranë Shkupit dhe për të përshpejtuar përfundimin e luftës.
Sipas Shaqirit, në shtabin e UÇK-së ishte marrë vendim që njësitet shqiptare të futeshin afër kryeqytetit, me synimin për të provokuar një përballje të drejtpërdrejtë dhe të pabarabartë me forcat qeveritare, në mënyrë që, siç thotë ai, të përshpejtohej fundi i luftës së vitit 2001 me fitore për shqiptarët.
Ai tregon se për këtë mision ishin caktuar njësitet, komandantët dhe ushtarët që do të hynin vullnetarisht në një rrethim shumë të rrezikshëm. Megjithatë, sipas tij, disa komandantë që fillimisht ishin paraqitur vullnetarisht për të hyrë në Haraçinë, u tërhoqën pas disa ditësh, duke arsyetuar se rezistenca në atë zonë do të ishte tejet e vështirë për shkak të largësisë nga pozicionet kryesore të UÇK-së në Mateç, Hotël, Likovë e Sllupçan, si dhe për shkak të vështirësive në furnizim dhe logjistikë.
Në këto rrethana, Shaqiri thotë se nga ai u kërkua të merrte përsipër hyrjen në Haraçinë, me arsyetimin se ishte ndër komandantët më me përvojë, që nga betejat e para të UÇK-së në Tanushë, dhe se ushtarët vullnetarë po kërkonin pikërisht komandant Hoxhën në krye të këtij operacioni.
“Pasi u konsultova me vullnetarët, komandant Telin dhe Arushën e Haraçinës, kërkova mendimin e tyre për përgjegjësinë që do të merrnim në këtë betejë të pabarabartë. Më kujtohet se Teli më tha: ‘Komandant, mos kërko nga unë të jem në roje, por sa për luftime, nuk do të bëjmë gjumë nëpër beteja’”, kujton Shaqiri.
Ai rrëfen se grupi u nis nga fshati Hotël drejt manastirit mbi fshatin Mateç, ku ndodhej një bazë e UÇK-së. Prej aty, Komandant Teli, i shoqëruar nga katër ushtarë, u dërgua paraprakisht në Haraçinë për të kontrolluar rrugën dhe për të shmangur ndonjë pritë të mundshme.
Sipas Shaqirit, pas dy ditësh Teli, bashkë me Arbenin dhe luftëtarë të tjerë, u kthyen për t’i marrë në vendin e quajtur “Vllaigrob”, prej nga në orët e mbrëmjes hynë pa u vërejtur në Haraçinë. Fillimisht u ndalën në shtëpinë e Ragmiut, ku pushuan për disa orë, ndërsa më pas vazhduan drejt qendrës së fshatit, te shtëpia e bacës Xhezë. Pikërisht aty, sipas tij, nisën organizimin e strukturave të UÇK-së dhe pozicionimin e forcave në terren.
Megjithatë, Shaqiri thotë se situata mori shpejt një kthesë të vështirë, pasi pala maqedonase i kishte vërejtur që të nesërmen në mëngjes. Kjo, sipas tij, bëri që situata të dilte pjesërisht nga kontrolli, për shkak se njësitet shqiptare nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për t’u strukturuar plotësisht në hierarkinë ushtarake – nga skuadrat, togjet dhe kompanitë, deri te batalioni – si dhe për të kryer fortifikimin e plotë të pozicioneve, hendekëve dhe bunkerëve.
Ai shton se mungesa e kohës ndikoi edhe në sistemimin e armatimit të rëndë të këmbësorisë që dispononte UÇK-ja në atë zonë, përfshirë topin pa dridhje dhe mitralozin e rëndë kundërajror 12.7 mm, të njohur si DShK.
Rrëfimi i Komandant Hoxhës hedh dritë mbi organizimin, vështirësitë dhe rrezikun që shoqëroi hyrjen e forcave të UÇK-së në Haraçinë gjatë konfliktit të vitit 2001, një betejë që mbetet ndër episodet më të përfolura të asaj lufte.
