Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Ndërsa Qeveria e intensifikon ofensivën kundër rritjes së çmimeve dhe u kërkon tregtarëve, distributorëve dhe prodhuesve të tregojnë më shumë përgjegjësi shoqërore, analistët ekonomikë paralajmërojnë se inflacioni nuk mund të reduktohet vetëm me gjoba, inspektime dhe presion mbi marketet. Kryeministri Hristijan Mickoski, pas takimit me përfaqësuesit e zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve, tha se kriza është drejt fundit dhe se është koha që kompanitë t’u kthejnë qytetarëve për durimin e treguar, përmes uljes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore. Njëkohësisht, Qeveria vendosi një objektiv konkret: norma vjetore e rritjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore në korrik të jetë nën 3 për qind, shkruan Vecer, transmeton Zhurnal.
“Kriza po përfundon. Qytetarët ishin tolerantë gjatë periudhës së kaluar, tani është radha e tregtarëve, distributorëve dhe prodhuesve të shpërblejnë qytetarët përmes uljes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore. Qeveria do ta përmbushë pjesën e saj të obligimeve dhe presim që edhe ata ta bëjnë të njëjtën gjë. Të gjithë së bashku duhet të jemi shoqërisht të përgjegjshëm, sepse qytetarët duhet të marrin shërbimin më të mirë dhe produktet më cilësore me çmimet më të ulëta të mundshme,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se synimi është të përcaktohet ku krijohet hapësira për rritjen e çmimeve dhe nëse ekzistojnë dallime të paarsyeshme mes çmimeve të blerjes dhe shitjes. Kryeministri paralajmëroi se Qeveria po analizon të gjitha hapat e mundshëm nëse marrëveshja me tregtarët nuk respektohet.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës për Kërkime dhe Analiza (ZMAI), Viktor Mitevski, institucionet duhet të bëjnë dallim të qartë mes sanksionimit të praktikave të paligjshme dhe zhvillimit të politikës ekonomike.
“Qeveria ka detyrim të reagojë kur rriten çmimet e produkteve bazë dhe kur kjo ndikon drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve. Por gjobat nuk duhet të jenë zëvendësim për politikën ekonomike. Nëse ka praktika të padrejta tregtare, abuzim me pozitën në treg, sjellje kartelesh, manipulime me çmimet ose shkelje të ligjit, atëherë institucionet duhet të veprojnë rreptësisht, shpejt dhe mbi bazë të provave. Kjo nuk është e diskutueshme,” tha Mitevski për gazetën Večer.
Ai paralajmëroi se inflacioni është problem shumë më kompleks dhe nuk mund të shpjegohet vetëm me sjelljen e tregtarëve.
“Problemi është kur e reduktojmë gjithë inflacionin në tezën se tregtarët janë fajtorë. Rritja e çmimeve nuk zgjidhet vetëm me kërcënime, inspektime dhe presion publik. Kjo mund të japë efekt politik afatshkurtër, por nuk e zgjidh thelbin. Nevojitet një qasje më e plotë: analizë e marzhave në zinxhirin e furnizimit, krahasim me çmimet e importit dhe prodhimit, Komision aktiv për mbrojtjen e konkurrencës, monitorim transparent të çmimeve të shportës sindikale, si dhe masa për rritjen e konkurrencës dhe uljen e kostove të logjistikës, importit, shpërndarjes dhe prodhimit vendas,” shtoi Mitevski.
Analisti Sinisha Pekevski vlerëson se në opinion mungon një strategji më e qartë dhe afatgjatë për përballimin e rritjes së çmimeve dhe për forcimin e prodhimit vendas.
“Në vend që fokusi të vihet ekskluzivisht te kontrollet dhe sanksionet e mundshme, nevojiten masa më kreative dhe më të qëndrueshme, të cilat do ta rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë vendase. Veçanërisht është e rëndësishme të krijohen kushte për mbështetje më të madhe të prodhuesve vendas, sepse ata janë pjesë kyçe e zinxhirit të furnizimit dhe e stabilitetit afatgjatë të çmimeve. Nëse mungon një qasje e tillë, ekziston rreziku që masat të perceptohen si presion shtesë mbi ekonominë, në vend se si nxitje për prodhim më të madh, investime dhe çmime më të ulëta për qytetarët,” tha Pekevski për gazetën Večer.
Nga Qeveria sigurojnë se mbeten të përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve sistemike me të cilat inflacioni te produktet bazë ushqimore do të mbahet nën 3 për qind. Sipas Mickoskit, në maj norma vjetore e rritjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore ka lëvizur mes 4,5 dhe 4,7 për qind, ndërsa synimi është që në korrik kjo normë të bjerë nën 3 për qind.
