Tetovë, 12 korrik Zhurnal.mk – Temperaturat verore dhe periudha e zgjatur e thatësisë kanë rritur ndjeshëm rrezikun nga zjarret në Tetovë dhe në mbarë vendin. Gjatë ditëve të fundit është shënuar rritje e numrit të intervenimeve të zjarrfikësve, ndërsa autoritetet apelojnë për kujdes maksimal, pasi shumica e zjarreve shkaktohen nga faktori njeri.
“Siç e dini, në Tetovë dhe në të gjithë vendin janë rritur temperaturat e larta dhe thatësia gjatë kësaj periudhe. Si pasojë, kemi më shumë intervenime dhe zjarre. Zjarrfikësit e Tetovës përballen çdo ditë me vatra zjarri në lokacione të ndryshme, ndërsa numri i tyre është në rritje. Shkaku kryesor mbetet faktori njerëzor, përkatësisht hedhja e mbeturinave dhe ndezja e zjarreve nga pakujdesia.”, u shpreh komandanti i NjTKZ-Tetovë, Avni Ameti.
Për të rritur efikasitetin në monitorimin dhe parandalimin e zjarreve, këtë vit NJTKZ Tetovë ka futur në përdorim teknologji të reja. Sipas komandantit Avni Ameti, risi është përdorimi i një droni për mbikëqyrjen e territorit, ndërsa në ndihmë vijnë edhe kamerat inteligjente të vendosura nga Drejtoria për Menaxhim me Kriza, të cilat mundësojnë zbulimin e hershëm të vatrave të zjarrit.
TON Avni Ameti komandant i NJTKZ-Tetovë
“Kemi risi në NJTKZ Tetovë. Tashmë disponojmë një dron, me të cilin monitorojmë në çdo kohë territorin që mbulojmë. Gjithashtu, Drejtoria për Menaxhim me Kriza ka vendosur kamera inteligjente për detektimin e hershëm të zjarreve. Tetova është pjesë e këtij projekti dhe janë vendosur pesë pika me kamera, të cilat monitorojnë vazhdimisht territorin që ne mbulojmë.”, tha Ameti.
Nga NJTKZ-Tetovë, u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të mos hedhin mbeturina që mund të shkaktojnë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet kompetente në rast se vërejnë tym apo vatra zjarri. Sipas tyre, kujdesi i secilit është thelbësor për parandalimin e zjarreve dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
