​Shkarkimi i Abdixhikut, sekretari i LDK-së: Deri tani nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim

Nga Xh M
1,416 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 korrik Zhurnal.mk – Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë dorëzim të nënshkrimeve në selinë e partisë për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.

Ferati ka thënë se raportimet për një iniciativë të tillë nuk janë të bazuara në ndonjë informacion zyrtar, duke i cilësuar ato si supozime.

“Nuk pashë se pati ndonjë burim të informatës në raportimin e atyre portaleve. Kjo është në nivel të supozimit. Unë te selia jam dhe nuk ka diçka, as dorëzim dhe as informacion zyrtar”, ka deklaruar Ferati.

Deklarata e tij vjen pas raportimeve se të martën, më 14 korrik, do të dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të LDK-së për votëbesim ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.

KosovaPress javën e kaluar ka raportuar ekskluzivisht se kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, po e udhëheq këtë proces, duke vizituar degët e LDK-së në nivel vendi për të kërkuar nënshkrimet e delegatëve për votëbesimin ndaj Abdixhikut.

Kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut po vjen pas pakënaqësive brenda kësaj partie për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.

Fillimisht u kërkua dorëheqja e Abdixhikut, por i njëjti e kishte konsideruar si të papranueshme dorëheqjen.

LDK-ja në këto zgjedhje ka pasur vetëm 16.69 për qind, apo 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas statutit të LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin, por vetëm hapin rrugën për ngritjen formale të çështjes së votëbesimit.

Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, duke përfshirë edhe kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.

Në janar të këtij viti, Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit të kuvendit të LDK-së, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar./kp

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër