Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, shprehu shpresë se partitë politike do të arrijnë sot konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat janë pjesë e obligimeve të Agjendës së Reformave.
Duke folur pas prezantimit të automjeteve të reja për Inspektoratin Shtetëror të Transportit, të siguruara përmes një donacioni të Bashkimit Evropian, Rokas theksoi se miratimi i ndryshimeve është i rëndësishëm, pasi nga to varet disbursimi i 4,2 milionë eurove nga fondet evropiane.
“Shpresoj që, meqë sot është dita e fundit për arritjen e marrëveshjes, partitë politike do të gjejnë kompromis. Bëhet fjalë për 4,2 milionë euro që do të shfrytëzoheshin në dobi të qytetarëve”, deklaroi Rokas.
Duke u ndalur te progresi i vendeve të tjera kandidate, ai vlerësoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po fiton intensitet të fortë.
“Zgjerimi është investim në sigurinë, stabilitetin, prosperitetin dhe konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian. Sot shohim se procesi po ecën shumë shpejt për katër vendet kandidate dhe sinqerisht shpresoj që Maqedonia e Veriut së shpejti do ta ndjekë këtë rrugë dhe do t’i nisë negociatat e anëtarësimit”, tha euroambasadori.
Rokas shtoi se prapa skenës po zhvillohen bisedime intensive për tejkalimin e pengesave në procesin e integrimit evropian.
“Po punohet shumë edhe larg syve të publikut. Shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje që do të hapë rrugën për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, përfundoi Rokas.
