Po zhvillohet monitorimi i ujërave në pellgun e Vardarit, përfshihen 170 lokacione

Nga Xh M
783 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 korrik Zhurnal.mk – Ekipet profesionale të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) po zhvillojnë një monitorim të gjerë të cilësisë dhe sasisë së ujërave në pellgun e lumit Vardar, burimi më i rëndësishëm ujor në vend, i cili përfshin mbi 80 për qind të të gjitha trupave ujorë në Maqedoninë e Veriut.

Monitorimi përfshin matje në terren, marrjen e mostrave nga ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, si dhe analiza laboratorike në gjithsej 170 lokacione. Ai realizohet sipas Programit të ri Kombëtar të Monitorimit, i cili përcakton pikat e matjes, parametrat dhe metodologjinë për ndjekjen e cilësisë dhe sasisë së ujërave.

Sipas DPHM-së, programi është hartuar në bashkëpunim me Programin Zviceran për Menaxhimin, Shfrytëzimin dhe Mbrojtjen e Ujërave, ekspertë ndërkombëtarë dhe vetë institucionin. Ai është pjesë e Strategjisë Kombëtare për Monitorimin e Ujërave, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe teknike për monitorimin afatgjatë të burimeve ujore, në përputhje me Ligjin për Ujërat dhe Direktivën Kornizë të Bashkimit Evropian për Ujërat.

Drejtori i DPHM-së, Igor Lazarovski, theksoi se monitorimi cilësor dhe gjithëpërfshirës është parakusht për menaxhimin efikas dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore, të cilat kanë rëndësi të madhe për qytetarët, bujqësinë, ekonominë dhe ekosistemin.

“Ekipet tona po punojnë në terren duke marrë mostra nga lokacione të ndryshme në të gjithë vendin. Rezultatet e këtij monitorimi do të tregojnë gjendjen reale të ujërave tona, sfidat kryesore me të cilat përballemi dhe masat që duhen ndërmarrë për mbrojtjen e tyre”, deklaroi Lazarovski.

Monitorimi pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe do të përfshijë marrjen e mostrave nga 80 lokacione të ujërave sipërfaqësore, si dhe kontrollin e të dhënave nga 90 stacione monitorimi të ujërave nëntokësore në pellgun e Vardarit.

Për të mbështetur këtë proces, Programi Zviceran për Ujërat i ka dhuruar DPHM-së 14 piezometra, pajisje të rëndësishme për monitorimin e ujërave nëntokësore. Gjithashtu, institucioni është pajisur me laborator modern dhe dy automjete të reja, me një vlerë totale prej rreth 250 mijë frangash zvicerane.

Sipas DPHM-së, të dhënat e mbledhura do të mundësojnë analizë të detajuar të gjendjes së burimeve ujore, identifikimin e zonave problematike, si ndotja apo mungesa e ujit, si dhe hartimin e masave konkrete për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre.

Rezultatet e monitorimit do të shërbejnë gjithashtu si bazë për hartimin e Planit të parë për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar, një dokument strategjik që do të përcaktojë politikat dhe masat e ardhshme për menaxhimin e ujërave, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Realizimi i këtij monitorimi financohet përmes bashkëfinancimit kombëtar prej rreth 440 mijë frangash zvicerane, të siguruara nga Qeveria përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa pjesa tjetër e fondeve sigurohet nga Zvicra përmes Programit për Menaxhimin, Shfrytëzimin dhe Mbrojtjen e Ujërave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër