Ambasada Gjermane për mbylljen e tre grupkapitujve me BE-në: Moment i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë

Nga R.ZH
910 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 korrik, Zhurnal.mk – Mbyllja e tre grupkapitujve të negociatave në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian shënoi një tjetër zhvillim të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt integrimit europian. Konferenca u mbajt ditën e djeshme në Bruksel.

Ambasada Gjermane në Tiranë reagoi lidhur me këtë arritje, të cilën e konsideroi një hap me rëndësi për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përmes një postimi në Facebook, përfaqësia diplomatike gjermane përshëndeti punën e bërë nga autoritetet shqiptare dhe konfirmoi mbështetjen për vazhdimin e reformave. Ambasada nënvizoi se në rrugën drejt BE-së nevojiten rezultate të prekshme dhe afatgjata.

Ambasada bëri të ditur se mirëpret zhvillimin e Konferencës së nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë, si dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30, të parët që mbyllen në procesin e vendit drejt BE-së.

Sipas reagimit, ky përparim dëshmon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u përfshirë në fusha kryesore të politikave të Bashkimit Evropian. Ai krijon gjithashtu mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacionin, forcimin e marrëdhënieve arsimore e kulturore dhe dhënien e kontributit në sigurinë ekonomike të BE-së.

Përfaqësia gjermane vlerësoi angazhimin e autoriteteve shqiptare për arritjen e këtij momenti historik dhe u bëri thirrje atyre që ta ruajnë ritmin pozitiv gjatë punës për kapitujt që mbeten.

Në njoftim shprehet besimi se Shqipëria do ta përdorë këtë progres si bazë për të çuar përpara reformat me të njëjtën vendosmëri, duke siguruar rezultate konkrete dhe të qëndrueshme, përfshirë edhe fushën e Themeloreve.

Ambasada konfirmoi mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe deklaroi se pret hapa të tjerë përpara në procesin e pranimit, në varësi të arritjeve të vendit dhe përmbushjes së kritereve të dakordësuara.//Albeu.com

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër