Nikolloski: Ligji i ri mundëson ndërtimin e data‑bazave shtetërore dhe private

Nga I.A
1,426 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 korrik, Zhurnal.mk – Me ndryshimet e reja në Ligjin për planifikim urbanistik dhe Ligjin për ndërtim, është tejkaluar boshllëku i deritanishëm ligjor dhe është krijuar kornizë e qartë për ndërtimin e data‑centrave në vend. Edhe pse aktualisht nuk ka iniciativa konkrete nga sektori privat, shteti po shqyrton seriozisht mundësinë për ndërtimin e një data‑centri shtetëror, me qëllim mbrojtjen e institucioneve dhe rritjen e sigurisë kibernetike – deklaroi ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski, gjatë inspektimit të rrugës së rekonstruuar “Lazar Dimitrov” në Komunën Kisella Vodë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për lokacionet e mundshme dhe harmonizimin e akteve nënligjore, Nikoloski theksoi se synimi kryesor është që vendi të ecë në hap me trendet globale në këtë fushë, e cila deri më tani nuk ka qenë e rregulluar.

“Deri tani ishim në një zonë gri – as e ndaluar, as e lejuar. Prandaj vendosëm ta rregullojmë këtë materie. Nuk ka pasur asnjë iniciativë nga investitor privat, por shpresoj që do të ketë. Investimi mund të jetë shtetëror ose privat. Mendoj se është e mençur që Maqedonia të mendojë për një data‑centër shtetëror, për të mbrojtur institucionet. E dini çfarë ndodhi me Fondin e Shëndetësisë para disa vitesh. Për arsye sigurie, është e mençur të kemi sistem që e kontrollojmë vetë”, tha Nikoloski.

Shteti siguron lokacionin për projektet publike, investitori për ato private

Nikoloski sqaroi se mënyra e realizimit varet nga natyra e investimit:

“Nëse ndërtojmë data‑centër shtetëror, lokacionin e siguron shteti. Nëse bëhet fjalë për investim privat, atëherë investitori privat siguron tokën, urbanizimin dhe të gjithë investimin. Ligji nuk është sjellë për ndonjë investitor të caktuar, por për të krijuar kornizë të qartë për investime të mundshme – qoftë pas një viti, pesë apo dhjetë.”

Infrastruktura e re – për administratën dhe institucionet arsimore

I pyetur nëse infrastruktura e re do të shërbejë për administratën shtetërore dhe institucionet arsimore, Nikoloski theksoi se procesi duhet të jetë nën kompetencën e Ministrisë së Digjitalizimit, duke theksuar nevojën për një sistem të organizuar sigurie kibernetike.

“Aktualisht të gjitha institucionet marrin shërbime me qira – kryesisht nga Microsoft ose Telekom. Parimisht është në rregull, por nuk mund të parashikohet gjithçka. E dini çfarë ndodhi me Fondin e Shëndetësisë. Disa institucione mbrohen vetë, pa sistem të unifikuar. Siguria nuk është vetëm ushtri dhe polici – është edhe këtu. Me ligjin e ri, tashmë kemi kornizë që na mundëson të mbrohemi si shtet.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër