Shkup, 21 korrik Zhurnal.mk – Prokuroria Publike nuk zbulon detaje të reja rreth aksidentit me pasojë tre viktima në autostradën e pa përfunduar nga Bllaca drejt Shkupit. Ndonëse ende e pa konfirmuar nga Prokuroria, dyshimet kryesore janë se drejtuesi i automjetit ka gabuar rrugën pak metra para se të arrijë në kufirin e Bllacës, me çka është kyçur gabimisht në autostradën e re në gjatësi prej dy kilometrave, e e cila përfundon në greminë. Përgjatë këtij aksi, nuk ka ndriçim e as shenja sinjalizuese të cilat paralajmërojnë se autostrada nuk është në funksion.
“Menjëherë pas ngjarjes është kryer mbikëqyrje nga ana e prokurorit publik, janë dhënë urdhëra për autopsi dhe për veprime të tjera për zbardhje të plotë të rastit dhe për momentin ende po punohet”, thonë nga Prokuroria Publike.
Ministria e Punëve të Brendshme kanë demantuar spekulimet për pistë tjetër të shkaqeve të aksidentit pasi u tha se tre shtetasit e Kosovës janë ndjekur nga një veturë tjetër.
“MPB i hedh poshtë të pavërtetat dhe spekulimet e publikuara në një pjesë të mediave lidhur me aksidentin rrugor në autostradën PKK Bllacë – Shkup, në të cilin humbën jetën tre persona, sipas të cilave pretendohet se viktimat janë ndjekur nga një automjet tjetër që është paraqitur rrejshëm si veturë policore dhe se një dukuri e tillë është vërejtur edhe më parë. Apelojmë që të mos përhapen dezinformata. As nuk është evidentuar një dukuri e tillë dhe as nuk ka ndonjë denoncim për të ashtuquajturën “polici e rreme”. Organet e rendit do ta zbardhin shkakun që ka çuar në këtë aksident trafiku”, u shprehën nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Tre shtetasit e Kosovës janë varrosur sot, ndërsa Komuna e Vushtrrisë ka shpallur ditë zie në nderim të viktimave.
