Stuhitë e forta shkaktojnë dëme të mëdha në vreshta dhe prona në Rahovec

Nga D. V.
558 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Stuhitë e fuqishme dhe erërat e forta që kanë përfshirë Komunën e Rahovecit gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, prona private dhe infrastrukturë.

Një nga zonat e prekura është fshati Zaqishtë, i njohur për traditën e kultivimit të hardhisë dhe prodhimit të rrushit. Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka vizituar nga afër vreshtin e fermerit Musli Gashi, ku pasojat e stuhisë kanë lënë dëme të dukshme.

Në këtë vresht, rreshta të tëra të hardhive janë rrëzuar në tokë nga fuqia e erërave, duke shkaktuar humbje për fermerin dhe dëmtuar një nga sektorët kryesorë të ekonomisë lokale.

“Po e shohim nga afër vreshtin e dëmtuar të Musli Gashit në Zaqishtë. Janë të shumta dhe të mëdha dëmet nga erërat dhe stuhitë e forta të ditës së djeshme”, ka deklaruar kryetari Smajl Latifi.

Ai ka bërë të ditur se pasojat e motit të keq janë evidentuar në disa fusha.

“Dëme ka në vreshta, në serra, në pemë, në çatitë e shtëpive, si dhe në shtyllat dhe kabllot e KEDS-it”, ka thënë Latifi.

Sipas tij, Komuna e Rahovecit do të nisë procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve përmes komisionit përkatës komunal.

“Komisioni Komunal për Regjistrimin dhe Vlerësimin e Dëmeve edhe këtë herë do ta bëjë më së miri punën e vet. Do t’i evidentojë të gjitha dëmet dhe do të përgatisë raportin përkatës”, është shprehur ai.

Kryetari Latifi ka theksuar se raporti i dëmeve do të procedohet te institucionet përgjegjëse për shqyrtim dhe vlerësim.

“Për dëmet e tashme, brenda një afati optimal, do ta bëjmë gati raportin, të cilin do ta dërgojmë të miratuar në AME, përkatësisht në Komisionin Qendror për Vlerësimin e Dëmeve”, ka deklaruar Latifi.

Komuna e Rahovecit ka kërkuar vazhdimisht kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa procesi aktual i vlerësimit pritet të përcaktojë përmasat reale të dëmeve dhe nevojat për mbështetje.

Vreshtarët dhe fermerët e prekur presin reagim institucional, pasi dëmet e shkaktuara nga stuhia mund të ndikojnë ndjeshëm në prodhimin bujqësor të këtij viti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër