Tiranë, 24 korrik, Zhurnal.mk – Riviera Shqiptare është renditur mes destinacioneve më të preferuara të Evropës për pushime verore, të cilat vlerësohen për përvojat autentike larg mbipopullimit turistik, shkruan Aine Diaz në median spanjolle “La Sexta”.
Artikulli thekson se, megjithëse Evropa përfshin disa nga destinacionet më të vizituara në botë, kontinenti ka ende vende që mbeten të paeksploruara, pavarësisht potencialit të tyre të madh turistik.
Për turistët që dëshirojnë të shmangin fluksin e madh të vizitorëve dhe të zbulojnë vende të reja, media spanjolle rekomandon destinacione që ruajnë ende autenticitetin dhe vijojnë të surprizojnë vizitorët me bukuritë natyrore dhe kulturore.
Në këtë listë përfshihen Riviera Shqiptare, Gadishulli i Peljesacit në Kroaci, Bregdeti Slloven, Ishujt Azore në Portugali dhe Bregdeti Jurasik i Britanisë së Madhe, që vlerësohen si alternativa ideale për pushime verore, larg destinacioneve tradicionale të mbipopulluara.
Për Shqipërinë, artikulli thekson se bregdeti shqiptar është, ndoshta, destinacioni më autentik i Mesdheut gjatë sezonit veror.
Sipas medias spanjolle, Shqipëria ka qenë për shumë vite një vend i izoluar, por pas hapjes së saj ndaj botës, gjithnjë e më shumë turistë kanë zbuluar potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Rivierës Shqiptare.
Artikulli vlerëson plazhet me ujëra të kristalta në ngjyrë bruz – të cilat, janë shumë të ngjashme ne plazhet e ishujve grekë – si dhe fshatrat karakteristikë bregdetarë, rrugët panoramike dhe gastronominë vendase, e cilësuar si një ndërthurje e traditës kulinare shqiptare me ndikime greke dhe kroate.
Një tjetër element që veçohet është raporti cilësi-çmim.
Edhe pse çmimet kanë shënuar rritje vitet e fundit, ato mbeten ende dukshëm më të ulëta krahasuar me destinacionet fqinje, si Greqia dhe Kroacia.
